Takimi që s’prodhoi asgjë – Osmani paralajmëron se do t’i drejtohet Kushtetueses nëse vazhdon zvarritja, s’ka zgjedhje pa u konstituar Kuvendi
Me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, sot liderët e partive politike u takuan për herë të parë që nga përfundimi i zgjedhjeve të 9-shkurtit. Ky takim u thirre pas 16 dështimeve për ta konstituar Kuvendin e Kosovës, shkruan lajmi.net U pritë me shumë bujë dhe me shpresë që do të gjendet një rrugëdalje nga ky…

Lajme
Me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, sot liderët e partive politike u takuan për herë të parë që nga përfundimi i zgjedhjeve të 9-shkurtit.
Ky takim u thirre pas 16 dështimeve për ta konstituar Kuvendin e Kosovës, shkruan lajmi.net
U pritë me shumë bujë dhe me shpresë që do të gjendet një rrugëdalje nga ky ngërç politikë, por në fund s’prodhoi asgjë.
Presidentja Osmani pas takimit mbajti një konferencë për media ku s’dha lajme të mira. Fillimisht ajo konfirmoi se pati disponim minimal për të dal nga kjo bllokadë, por që shpreson që do të rritet. Po ashtu lajmëroi se do t’i takoj liderët politikë veç e veç.
“Ky është vetëm takimi i parë, nëse shihet e nevojshme nga java e tjetër do të takoj liderët e partive individualisht për të vazhduar pastaj edhe formate të tjera sipas nevojës. Po ashtu, sa për sqarim këto nuk janë konsultime për krijimin e qeverisë së re sepse siç e dini këto i takojnë ekskluzivisht negociatave ndërmjet partive politike dhe institucioni i presidentes nuk është institucion që përfaqëson ndonjë parti por përkundrazi”, tha ajo.
“Pra në qoftë se mund ta them kështu, ekziston një disponim minimal i cili jam e bindur që do të rritet me kalimin e kohës, e cila shpresoj shumë që nuk do të jetë kohë shumë e gjatë”, shtoi ajo.
Osmani paralajmëroi se nëse vazhdon zvarritja, do t’i drejtohet Kushtetueses.
“Nëse kjo zvarritet shumë, janë disa opsione që vetë deputetët ta shfrytëzojnë. Deri tani AAK ka kontestuar një vendim, por që lidhet me formën e votimit jo domosdo me proceset tjera. Mënyra tjetër është që unë si presidente të shfrytëzoj prerogativat kushtetuese dhe t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Sot ajo çfarë kam shprehur para liderëve, që nëse do të kishte pajtim edhe nga ana e tyre, unë nuk kam ndonjë problem që ta dërgoj këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, nuk pat ndonjë kundërshtim nga asnjëri prej tyre. Megjithatë, ne do të presim nëse ditët në vijim do të rezultojnë me marrëveshje politike apo arritje të një marrëveshje më të gjerë për konstituimin e Kuvendit para se të procedojmë me diçka e tillë”, u shpreh ajo.
Në pyetjen e gazetarëve se a mund të ketë zgjedhje të reja, presidentja tha se fillimisht duhet të ndodhë konstituimi i Kuvendit pastaj mund të shikohet nëse do ketë zgjedhje të reja.
“Në qoftë se 2/3 e Kuvendit vendosin të votojnë për shpërndarje të Kuvendit, në qoftë se dështojnë në zgjedhjen e Qeverisë, në qoftë se ka votë mosbesimi për Qeverinë. Për momentin, pa konstituim të Kuvendit nuk mund të shkohet tek këto tri opsione. Edhe nëse partitë pajtohen mes vete për të shkuar në zgjedhje, fillimisht duhet me u konstitu Kuvendi, dhe tek as saj mund të ketë votë për shpërndarje të Kuvendit dhe pastaj unë si Presidente e caktoj datën apo nuk arrijnë me i bë numrat edhe pse kjo nuk është çështje që unë mundem tash me e përcaktu. Kushtetuta e parasheh që nëse nuk bëhen numrat janë afatet e përcaktuara brenda të cilave unë detyrohem si presidente për ta dërguar vendin në zgjedhje, por parakusht për këtë është konstituimi i Kuvendit”, ka thënë ajo./lajmi.net/