Takimi për energji – mungojnë Autoriteti i Konkurrencës dhe ZRRE, kritikon Bajrami
Vendimi për largimin e rreth njëmijë e treqind bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike po konsiderohet me pasoja të rënda për bizneset dhe ekonominë në përgjithësi. Ky shqetësim u diskutua sot në një takim të hapur të organizuar nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, me pjesëmarrjen e disa deputetëve nga opozita, bizneseve, KESCO-s,…

Lajme
Vendimi për largimin e rreth njëmijë e treqind bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike po konsiderohet me pasoja të rënda për bizneset dhe ekonominë në përgjithësi.
Ky shqetësim u diskutua sot në një takim të hapur të organizuar nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, me pjesëmarrjen e disa deputetëve nga opozita, bizneseve, KESCO-s, por në mungesë të përfaqësuesve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Autoritetit të Konkurrencës, të cilët refuzuan ftesën për të raportuar para Kuvendit.
Deputetja nga LDK Hykmete Bajrami ka thënë se institucione që, megjithëse të pavarura, sipas ligjit janë të obliguara të raportojnë në Kuvend.
“Të dyja ju kanë shmangur takimit duke u thirrur në emër të pavarësisë së tyre. Duhet t’i respektojnë Kuvendin dhe duhet të ishin prezent. Sipas tyre çështja e çmimit të energjisë po politizohet në Kuvend…Të dy institucionet e pavarura të cilat sipas ligjit duhet t’i raportojnë Kuvendit nuk vinë. Para disa ditëve 30 deputetë të Kuvendit nga një pjesë e madhe e partive politike kanë bërë një kërkesë në ZRRE të anulojë vendimin për vendosjen në treg të hapur të 1 mijë e 300 kompanive….Ne sot sërish kemi dashtë të përsërisim kërkesën që të anulohet ose shtyhet deri në krijimin e kushteve. Nuk ka konkurrencë të lirë. Keni kërkuar oferta për energji elektrike nga pothuajse 19 kompani të licencuara dhe keni marrë një ofertë të vetme nga KESCO”, ka thënë Bajrami.
Në anën tjetër, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se ZRRE është shndërruar në një degë të partisë në pushtet duke dalë prej mandatit të saj.
“Fatkeqësisht sot ata që do duhej t’i kemi, ZRRE-në, e që është shndërruar në një degë e partisë në pushtet dhe ka dalë prej mandatit të saj. Me gjasë sot do t’i ngritim shqetësimet tona, por nuk e kemi adresën për të marrë përgjigje…Numri i pyetjeve që kam pas për ZRRE-në është i madh, nuk do t’i ndalim përpjekjet t’i kemi në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq, deputeti Veton Berisha ka thënë se mbështesin bizneset për kërkesat e tyre.
“Jemi me bizneset, sepse jemi treg i hapur dhe nuk do të duhej të dalim me politika tona qoftë të heshtura ose të mohuara”, ka thënë Berisha.
Derisa përfaqësues prej KESCO-s kanë thënë se do t’i ndihmojnë bizneset në këtë proces.
Ndërsa, Autoriteti i Konkurrencës në Kosovës dje bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e nesërm (e mërkurë) i organizuar nga deputetja LDK-së, Hykmete Bajrami në takim me komunitetin e biznesit, Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe deputetë të partive në Kuvendin e Kosovës, lidhur me vendimin për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike, raporton KP.