Takim tjetër i krerëve të partive me Presidenten apo interpretim nga Kushtetuesja për zhbllokimin e Kuvendit? – Korenica tregon cila do të ishte më efektive

Që nga 15 prilli, gati se dy muaj pas seancës së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës janë mbajtur edhe plot 24 seanca të tjera, apo gjithsej 25 sosh me qëllimin për ta konstituuar Kuvendin por kjo ende nuk është arritur. Inate politike apo diçka tjetër mund të jetë arsyeja për mos gjetjen e një…

Lajme

03/06/2025 23:15

Që nga 15 prilli, gati se dy muaj pas seancës së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës janë mbajtur edhe plot 24 seanca të tjera, apo gjithsej 25 sosh me qëllimin për ta konstituuar Kuvendin por kjo ende nuk është arritur.

Inate politike apo diçka tjetër mund të jetë arsyeja për mos gjetjen e një kompromisi mes partive më të mëdha politike, por Kuvendi i Kosovës tash e sa muaj që nga dita e zgjedhje ka mbetur i paformuar.

Deputetët e betuar të Kuvendit, çdo 48 orë po i zhvillojnë seancat konstituive por të gjitha ato po përfundojnë pa rezultat.

Ndonëse pse secila parti po mundohet të “ofroj” një zgjidhje, ata nuk po e gjejnë një marrëveshje të përbashkët dhe kësaj bllokade nuk po i dihet fundi.

Për zhbllokimin e kësaj situate u mundua të gjej zgjidhje edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani por siç po shihet ajo nuk ia ka dal dot.

Osmani i ftoi në takim krerët e katër partive më të mëdha në vend, LVV, PDK, LDK dhe AAK e pas tyre edhe përfaqësuesit e minoriteteve por siç tha ajo pas takimit, pati “disponim minimal”.

A mund të zgjidh këtë situatë një takim i radhës me Presidenten apo një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, ish deputeti i LVV-së, tani pjesë e Koalicionit për Familje thotë se opsioni i dytë mund të ishte më efektiv.

“Mendoj se jane shterur te gjitha mundësitë për koalicione të mundshme. Asnjëra palë nuk ka numra të mjaftueshëm për qeverisje. Në këtë drejtim, një kërkesë nga ana e Presidentes për interpretim të mundshëm nga Gjykatës Kushtetuese për të dal nga kjo situatë, do të shërbente edhe si normë për raste të ngjashme që mund të ndodhin edhe në të ardhmen”, ka thënë Korenica për lajmi.net.

Deputetët e AAK-së, e kanë dërguar në Kushtetuese kërkesën e VV-së për votim të fshehtë, kërkesë kjo që po refuzohet dhe nuk po votohet fare nga partitë opozitare që nga 1 maji.

Gjykata Kushtetuese pati thënë ditë më parë për lajmi.net se kërkesa e tyre po shqyrtohet.

Para se kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër i Kuvendit e që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, të vinte në votim komisionin për votim të fshehtë, Lëvizja Vetëvendosje e vinte në votim për kryekuvendare, kandidaten e tyre të propozuar, Albulena Haxhiun.

Ajo nuk arriti asnjëherë të merrte më shumë se 57 vota, prandaj edhe nuk arriti të zgjidhej kryekuvendare, pozitë për të cilën i duheshin se paku 61 vota.

Opozita nuk e votoi Haxhiun pasi që sipas tyre ajo është figurë përçarëse dhe se Kuvendit të Kosovës i duhet një figurë unifikuese.

Në lidhje me këto deklarata, Haxhiu ka reaguar derisa i ka konsideruar seksiste ndërsa kreu i VV-së ka thënë se lidhen me gjininë e saj.

AAK i ka propozuar VV-së tre emra të cilët ata do t’i votonin e që janë Shqipe Selimi, Saranda Bogujevci dhe Glauk Konjufca, ndërsa PDK ka thënë se do ta votonin këdo që nuk ishte pjesë e Qeverisë Kurti 3. Por as këto propozime nuk e bënë VV-në të ndërroj propozimin e tyre.

VV tentoi që duke i ofruar pjesëmarrje në Qeveri, të merrte tri vota pro nga NISMA por që as kjo nuk u bë. Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj deklaroi se në takimet me Kurtin i ka kërkuar atij pozitën e kryekuvendarit me kusht që të votonin pro, por që këtë edhe sot e mohoi Kurti se mund të ndodh.

Ai sot në Gjakovë tha se do të vazhdojnë me kandidaten e tyre të propozuar që është Albulena Haxhiu.

Bllokada e krijuar në Kuvend po i paraqet probleme serioze Kosovës si në ekonomi ashtu edhe në fusha tjera.

Ndërkombëtarët në vazhdimësi po e ritheksojnë se konstituimi i Kuvendit të Kosovës duhet të ndodh sa më parë në mënyrë që të vazhdohet me procesin e formimit të Qeverisë.

Shpresa e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është nesër, në seancën e 26-të me radhë që do të mbahet nga ora 10:30./Lajmi.net/