Tahiri: Rimëkëmbja ekonomike nis nga komunat
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri, ka vizituar Komunën e Gjakovës, ku është pritur nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini.

Lajme
Besnik Tahiri, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, sot e ka vizituar komunën e Gjakovës me ç’rast është takuar me të parin e këtij qyteti, Ardian Gjini.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se në këtë takim, është biseduar për menaxhimin e situatës së pandemisë Covid-19 dhe çështje të tjera zhvillimore në nivelin komunal.
Tahiri po ashtu ka thënë se me Gjinin është diskutuar për planin e rimëkëmbjes ekonomike të Gjakovës, me ç’rast ai ka shprehur gatishmërinë e tij për të ndihmuar me të gjithë mekanizmat qeverisës, shkruan lajmi.net.
Postimi i plotë i Gjinit, pa ndërhyrje:
Rimëkëmbja ekonomike e vendit nis nga Komunat
Sot, kisha kënaqësinë të takoj kryetarin e Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, për të biseduar rreth efekteve të pandemisë Covid-19 dhe çështjeve të tjera zhvillimore në nivelin komunal.
Falënderova Kryetarin Gjini për punën e tij të palodhshme, frytet e së cilës po karakterizojnë Gjakovën si model të qeverisjes së mirë.
Në takim diskutuam për planin e rimëkëmbjes ekonomike të Komunës së Gjakovës, ku shpreha gatishmërinë time për të ndihmuar me të gjithë mekanizmat qeverisës.
Është kënaqësi të shoh se Gjakova sot po frymon ndryshe dhe nuk ka ndalur punën edhe në pandemi, por me vizion të qartë ka vazhduar me energji të plotë në përmbushje të synimeve të tyre.
E di që Komunat e Kosovës po përballen më sfida në fillim të vitit me buxhetin, por nuk do të ndalen përpjekjet për t’i evituar ato. /Lajmi.net/