Tahiri prezanton shifrat e prodhimit të rrymës: Prodhimi i energjisë ka mbuluar nevojat për konsum

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se prodhimi i energjisë elektrike ka mbuluar nevojat për konsum gjatë këtyre tre muajve.

Lajme

26/04/2022 14:52

Ai ka paraqitur shifrat e prodhimit, eksportit dhe importit të energjisë elektrike nga muaji janar, derisa ka kërkuar të dijë se pse janë dyfishuar tarifat e energjisë elektrike.

Sipas tij, këto janë të dhëna zyrtare që nga muaji janar.

Tahiri i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të mos bllokohet të enjten formimi i komisionit hetimor për sqarimin e këtyre të dhënave.

“Kërkesa për import në muajin janar ka qenë 21.30 përqind. Në muajin shkurt KEK ka prodhuar 475 mijë megavat; Lumbardhi 511, BRRE 38,631. Kërkesa për konsum në KESCO ka qenë 460,593 megavat, KEK-u ka eksportuar 16,923 megavat. Ndërkaq, në muajin shkurt kemi paguar tarifa 100 përqind me rritje, kërkesa për import ka qenë 2,7 përqind. Nuk e dimë saktë a janë importuar kaq sepse ka pasur edhe reduktime”, ka thënë ai.

Në konferencë për medie, Tahiri tha se në muajin mars, Kosova ka mbuluar 99,5 përqind të kërkesave.

“A mundet me na tregu kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli, se a janë shpenzuar 100 milionë euro për subvencione. Mjetet ku po shkojnë?”, ka shtuar ai.