Tahiri: Janë nënshkruar 220 kontrata një-burimore, duhet të formohet komision hetimor

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri deklaroi se duhet të ketë hetim parlamentar në të gjitha ministritë dhe ndërmarrjet publike ku ka pasur kontrata një-burimore. Sipas tij, janë nënshkruar 200 milionë euro kontrata, në mungesë transparence dhe duke iu shmangur konkurrencës. Ai në seancë të jashtëzakonshme u bëri thirrje deputetëve…

Lajme

28/03/2024 11:12

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri deklaroi se duhet të ketë hetim parlamentar në të gjitha ministritë dhe ndërmarrjet publike ku ka pasur kontrata një-burimore. Sipas tij, janë nënshkruar 200 milionë euro kontrata, në mungesë transparence dhe duke iu shmangur konkurrencës.

Ai në seancë të jashtëzakonshme u bëri thirrje deputetëve që të votojnë themelimin e komisionit hetimor për kontratat një-burimore të nënshkruara nga Qeveria Kurti.

“Kontratat një-burimore janë të nënshkruara në një tavolinë me një operator ekonomik, duke e shmangur konkurrencën dhe duke e shmangur transparencën. Në këtë formë janë nënshkruar 200 milionë euro kontrata, me nga një operator publik, pa transparencë dhe pa kursim të mjeteve të buxhetit të Kosovës. Është shumë e rëndësishme sot që si deputet i Kuvendit të Kosovës, edhe ato që i kemi diskutuar në seancën e kaluar, që të vijmë në përfundim që sot ky komision hetimor të themelohet dhe të bëjë punën e vet me hetimin parlamentar në të gjitha ministritë dhe ndërmarrjet publike ku janë këto kontrata një-burimore”, tha ai.

Më tej, Tahiri theksoi se në hulumtimin që kanë bërë si grup parlamentar kanë parë që janë rreth 220 kontrata një-burimore në vlerë prej 153 milionë euro.

“Në hulumtimin që kemi bërë si Grup Parlamentar i PDK-së, e që këtu dalin të mos jenë të gjitha, për vitet 2022 dhe 2023 janë rreth 220 kontrata një-burimore. 220 kontrata me vlerë totale që ne i kemi mbledhur janë rreth 153 milionë euro. Mirëpo, nga grupet tjera parlamentare opozitare kemi parë që kanë bërë një hulumtim më të gjerë dhe shuma totale e këtyre kontratave shkon rreth 200 milionë euro, nuk është rreth 153 milionë euro sepse këtu përfshihen vetëm gjashtë ministri dhe Korporata Energjetike e Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas tij, abuzimet janë të mëdha sa që është sfidë të hetohen për 11 prokurorë.

“Unë i bëjë thirrje prokurorisë prej këtu se si është e mundur një kompani, ndoshta është krejt në rregull, por hetim duhet të ketë, si është e mundur 22 milionë euro me furnizu listën esenciale me barna dhe 18 milionë euro me materiale tjera konsumi. Si është e mundur? Unë i bëjë thirrje prokurorisë dhe ta shohim dhe a është normale kjo, a duhet me ndodhë kështu? Apo vërtetë është një abuzim i skajshëm. Pse duhet të ketë Ministri të Shëndetësisë kur ja kemi besuar një operatori ekonomik krejt këtë punë. 40 milionë euro për dy vite buxhet, kjo është e tmerrshme”, përfundoi ai.

Tahiri theksoi se situatë e njëjtë është edhe në ministri të tjera, ku shtoi se hetimi parlamentar është i rëndësishëm.

Kjo seancë e jashtëzakonshme po mbahet me kërkesën e 40 deputetëve.