Sveçla: Xhandarmëria do të funksionoj në kuadër të Ministrisë, Policisë do t’i mundësohet të fokusohet në rendin publik dhe sigurinë në komunikacion

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media ka folur në lidhje me themelimin e grupit punues për themelimin e xhandarmërisë. Sveçla tha se xhandarmëria do të funksionoj si agjenci ekzekutive në kuadër të MPB-së, transmeton lajmi.net. “Në kuadër të kompetencave të mija si ministër i MPB-së, unë kam themeluar grupin punues…

Lajme

28/05/2026 12:34

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media ka folur në lidhje me themelimin e grupit punues për themelimin e xhandarmërisë.

Sveçla tha se xhandarmëria do të funksionoj si agjenci ekzekutive në kuadër të MPB-së, transmeton lajmi.net.

“Në kuadër të kompetencave të mija si ministër i MPB-së, unë kam themeluar grupin punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve, për themelimin e xhandarmërisë, me qëllim të forcimit të kontrollit të vijës kufitare, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe reagim të shpejtë ndaj kërcënimeve të përmasave të nivelit të lartë.”

“Tashmë grupi punues është duke punuar në analizimin e aspekteve ligjore, institucionale, organizative, financiare dhe operacionale të themelimit të xhandarmërisë si agjenci ekzekutive në kuadër të MPB-së, përmes ligjit të veçantë. Themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do t’i mundësoj Policisë së Kosovës që të fokusohet në sigurinë dhe rendin publik, parandalimin dhe hetimin e krimit, siguri në komunikacion dhe në detyrat e tjera sipas autorizimeve ligjore. Grupi Punues ka për detyrë të analizojë kornizën ligjore në fuqi për krijimin e bazës së re ligjore për themelimin e xhandarmerisë si njësi e veçantë në kuadër të MPB-së.”

“Grupi Punues për përmbushjen e detyrave të tij do të organizojë konsultime profesionale. Në këtë kuadër të këtij procesi do të analizohen edhe praktikat ndërkombëtare të vendeve që kanë modele të ngjashme të organizimit të xhandarmërisë me theks të veçantë të vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së.”

“Qasja jonë do të jetë transparente dhe në koordinim me të gjitha institucionet e mbrojtjes dhe secili rekomandim që i bashkëngjitet standardeve demokratike të kontrollit civil dhe institucional do të merret në konsideratë. Do të trajtohet në koordinim të plotë me të gjithë ata që janë paraparë sipas rregullative ligjore dhe në respektim të sundimit të ligjit e kontrollit institucional. Qeveria do të vazhdojë të avancojë kapacitetet moderne në përputhej me standardet euroatlantike dhe të institucioneve të tjera.”, u shpreh ai, duke shtuar se përfaqësues nga MPB, Policia, AME dhe të gjithë ata që merren me siguri do të jenë në grupin punues./lajmi.net/