Sveçla: Stacioni policor i ka munguar me dekada Zubin Potokut, objekt shembull

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla vuri sot gur-themelin e stacionit policor në Zubin Potok. Për këtë stacion policor, Sveçla tha se i ka munguar me dekada Zubin Potokut. “Sapo vumë gur-themelin për fillimin e punës së ndërtimit të stacionit policor në Zubin Potok. Stacion ky që i ka munguar me dekada…

Lajme

01/07/2025 10:03

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla vuri sot gur-themelin e stacionit policor në Zubin Potok.

Për këtë stacion policor, Sveçla tha se i ka munguar me dekada Zubin Potokut.

“Sapo vumë gur-themelin për fillimin e punës së ndërtimit të stacionit policor në Zubin Potok. Stacion ky që i ka munguar me dekada kësaj komune e këtij qyteti. Ashtu siç po punojmë në vazhdimësi ta rrisim nivelin e sigurisë qoftë nacionale, qoftë asaj publike, po ashtu po punojmë shumë që kushtet e punës për Policinë e Kosovës të përmirësohen, po ashtu edhe për qytetarët, të cilët pa kurrfarë pengese apo vështirësie e hezitimi mund t’i drejtohen Policisë”, tha ai para gazetarëve.

Ndërkohë, bëri të ditur se përfundimi i projektit do të finalizohet shumë shpejt.

“Në një afat shumë të shpejt, ashtu siç biseduam edhe me punëkryesin, shumë më shpejtë se plani i planifikimit me infrastrukturë shtesë për sigurinë e tyre me më shumë shërbime për një jetë më të mirë për të gjithë pa asnjë dallim”, tregoi Sveçla.

Gjithashtu, tha se stacioni policor do të jetë adresë e çdo qytetari për plotësimin e nevojave të tyre.

“Ka hapësira të bollshme, mbi 1.1 milion euro të ndara nga Qeveria e Kosovës – Ministria e Punëve të Brendshme për Policinë e Kosovës, ky objekt do të jetë edhe shembull një ndërtesë shembull për ndërtimin e mirë për plotësimin e të gjitha nevojave dhe kërkesave qoftë të Policisë qoftë të qytetarëve”, tha ai.