Sveçla: Serbia në panik, “Shkolla Ruse” për destabilizim të Kosovës po dështon

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia është në panik, pasi sipas tij, “Shkolla ruse” për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit po dështon. Sveçla tha se Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës, duke kombinuar propagandën, operacionet subversive e ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride,…

Lajme

07/09/2024 19:25

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia është në panik, pasi sipas tij, “Shkolla ruse” për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit po dështon.

Sveçla tha se Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës, duke kombinuar propagandën, operacionet subversive e ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride, sipas shkollës ruse.

“Dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese, kanë acaruar Vuçiq-in, Vuçeviçin, Vulinin, Radojçiq-in, të cilët të dëshpëruar, po synojnë ende që “shkollën ruse” për destabilizim, ta implementojnë në rajon”, shkroi ai.

“Dështuan në arritjen e qëllimeve politike përmes barrikadave në veri; Sulmin paramilitar/terrorist në Banjskë;  Synimet për të nxitur trazira dhe konflikte në komunat në veri, përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve dhe fushatave propaganduese”, vazhdoi tutje ministri

“Dështuan në synimet për të mbrojtur grupet e strukturuara kriminale, për qëllime politike dhe financiare/pastrimin e parave, kultivimin e drogave, trafikimin e armëve; Destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes trafikimit masiv të armëve në komunat në veri të Kosovës; Synimet e vazhdueshme për inskenim të incidenteve ndaj serbëve (në jug), për ta fajësuar Kosovën, përmes strukturave të sigurisë së Serbisë; Shfrytëzimit ë individëve me orientim radikal (fetar) dhe grupeve kriminale në rajon”, shkroi Sveçla.

Tutje, Sveçla tha se Serbia ka dështuar edhe në fushatat e orkestruara kinse për “spastrim etnik”, “krizë humanitare”, “sulme ndaj serbëve”, “kërcënim nga ‘sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë’”.

Ai përmendi edhe dështimin, sipas tij, së fundi të Serbisë, me bllokimin e pikave kufitare përmesgrupeve ekstremiste, radikale dhe terroriste të sponsorizuara nga shteti.

“Lista e dështimeve të tyre është e gjatë dhe do të vazhdojë të rritet, deri sa ta kuptojnë përfundimisht, që sovraniteti i Kosovës nuk mund të cenohet, orientimi Euro-Atlantik i rajonit, nuk ka kthim”, tha ai.