Ramadani kërkon llogari për 11 milionë eurot e pashpenzuara nga MPB: Pse nuk i investuat në nevojat e Policisë?

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka ngritur shqetësime lidhur me menaxhimin financiar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u thirrur në gjetjet e Raportit të Auditorit për vitin 2025. Gjatë një pyetjeje parlamentare, Ramadani ka kërkuar llogaridhënie për problemet e evidentuara në menaxhimin e parasë publike, prokurim, administrimin e personelit policor dhe zbatimin e…

Lajme

12/11/2026 11:43

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka ngritur shqetësime lidhur me menaxhimin financiar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u thirrur në gjetjet e Raportit të Auditorit për vitin 2025.

Gjatë një pyetjeje parlamentare, Ramadani ka kërkuar llogaridhënie për problemet e evidentuara në menaxhimin e parasë publike, prokurim, administrimin e personelit policor dhe zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të Auditorit.

Ai ka veçuar shpenzimin e buxhetit për investime kapitale, duke kërkuar sqarime se pse nga 50 milionë euro të planifikuara janë shpenzuar vetëm 39 milionë euro.

“Si është e mundur që nga 50 milionë euro që i kishit për investime kapitale, ju keni shpenzuar vetëm 39 milionë? Pra, pse i humbët 11 milionë euro për investime kapitale, në kohën kur Policia e Kosovës ka nevoja të mëdha për investime kapitale?”, ka pyetur Ramadani.

Ai ka kërkuar përgjegjësi për gjetjet e Auditorit dhe sqarime nga ministri për mënyrën se si janë menaxhuar mjetet publike gjatë vitit 2025. /Lajmi.net/