Sveçla nuk e përmendi në postimin e tij | Skanerët e siguruar me mbështetjen e SHBA-së zbuluan armatimin e fshehur në një “VW Caddy”
Dogana e Kosovës ka zbuluar 43 armë të gjata gjatë kontrollit të një automjeti me targa të huaja, falë pajisjeve moderne të skanimit të siguruara me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në automjetin e tipit VW Caddy janë gjetur 42 pushkë automatike AK-47, një pushkë Walther dhe 41 karikatorë. Teknologjia e avancuar e…
Lajme
Dogana e Kosovës ka zbuluar 43 armë të gjata gjatë kontrollit të një automjeti me targa të huaja, falë pajisjeve moderne të skanimit të siguruara me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në automjetin e tipit VW Caddy janë gjetur 42 pushkë automatike AK-47, një pushkë Walther dhe 41 karikatorë.
Teknologjia e avancuar e kontrollit, e mundësuar edhe përmes mbështetjes amerikane për institucionet e Kosovës, ka ndihmuar në zbulimin e një sasie të madhe armësh gjatë kontrollit doganor të një automjeti me targa të huaja, transmeton lajmi.net.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë skanimit të një automjeti të tipit VW Caddy janë identifikuar dhe zbuluar 42 pushkë automatike të tipit AK-47 (Kallashnikov), një pushkë e tipit Walther dhe 41 karikatorë për armë të tipit AK-47.
Ky zbulim vjen pasi gjatë ditës për rastin kishte njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili kishte bërë të ditur se ishin gjetur armë të gjata.
Në komunikatën e saj, Dogana thekson se zbulimi është rezultat i përdorimit efikas të pajisjeve moderne të skanimit dhe profesionalizmit të zyrtarëve doganorë.
Institucioni ka veçuar në mënyrë të posaçme mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadës amerikane në Kosovë, përmes së cilës janë forcuar kapacitetet teknologjike dhe operative të Doganës.
Pajisjet skanuese të mbështetura nga SHBA-ja kanë luajtur rol të rëndësishëm në identifikimin e ngarkesës së dyshimtë, duke mundësuar zbulimin e armëve gjatë kontrollit të automjetit.
Pas zbulimit, rasti është trajtuar në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente të drejtësisë, në përputhje me procedurat ligjore.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e angazhuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, trafikimit të armëve, narkotikëve dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme.
Ky rast vë në pah rëndësinë e investimeve në teknologjinë e kontrollit kufitar dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në forcimin e sigurisë dhe luftimin e aktiviteteve kriminale në Kosovë./lajmi.net/