Suspendohen tre policë pas incidentit në kafenenë “Dolce Vita” në Mitrovicë

Tre policë të Kosovës janë suspenduar pas takimit urgjent që kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq ka mbajtur mbrëmë me strukturat legale dhe ilegale të kësaj komune, në lidhje me incidentin e mbrëmshëm në kafenenë ‘Dolce Vita’.

Lajme

10/04/2015 11:55

Sipas burimeve të Kosovapress-it, fjala është për dy policë nga Zubin Potoku dhe një nga Leposaviqi, ndërsa suspendimi i tyre ka të bëjë më neglizhencën e tyre në punë.

“Është e pamundur që shtatë personat që kanë kryer incidentin dhe kanë ikur në jug përmes urës kryesore, ku edhe ndodhet vazhdimisht një patrullë e policisë, të mos kapet asnjëri prej tyre”, citojnë burimet të është thënë mes tjerash gjatë takimit të mbrëmshëm të strukturave të veriut.

Në bazë të një fotografie të siguruar nga KosovaPress bëhet e ditur se pjesë e takimit ishin kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, pastaj kryetari ilegal i kësaj komune, Aleksandar Spiriq, shefi i operativës në Drejtorinë e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq, si dhe shefi i njësisë së hetimeve pranë kësaj drejtorie, Millan Ristoviq.

Suspendimin e tre policëve e ka konfirmuar për Kosovapress edhe zëvendës/drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti. Sipas tij, vendimi për suspendimin e tre policëve është lëshuar dhe se janë vetëm në pritje të nënshkrimit nga ana e tyre.

Hoti ka thënë se vendimi është marrë në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, ndërsa ka mohuar kategorikisht të ketë interferuar në një vendim të tillë kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq.