Supremja shfuqizon paragrafin që KPM e shtoi dhe me të cilin zgjodhi kryetarin e ri pa i skaduar mandati të vjetrit
Gjykata Supreme e Kosovës ka bërë të ditur se kanë marrë vendim për padinë që Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ushtruar ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave dhe përmes të cilit kanë kërkuar shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e aktit nënligjor normativ dhe Rregullores së punës të miratuar në mbledhjen e 17 janarit të…

Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës ka bërë të ditur se kanë marrë vendim për padinë që Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ushtruar ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave dhe përmes të cilit kanë kërkuar shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e aktit nënligjor normativ dhe Rregullores së punës të miratuar në mbledhjen e 17 janarit të 2025.
Përmes aktgjykimit P.A.nr.06/2025 është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 2 i nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM-2025/01).
“Pasi që ky aktgjykim të merr formën e prerë, dosja e lëndës PA.6/2025, së bashku me shkresat e sajë, ti dërgohet gjykatës së shkallës së parë, për vendosje lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së të datës 17 janar 2025, të kontestuar me padi”, thekson tutje vendimi i Supremes.
Paragrafi i shtuar, e që është shfuqizuar me vendim të Supremes thotë se “Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni zgjedhja e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, mund të bëhet brenda një (1) muaji para skadimit të mandatit të Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, veçanërisht për t’u siguruar që KPM nuk mbetet pa Kryetar, përkatësisht Nënkryetar në rastet kur mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.
IKD kur kishte ushtruar padinë kishte konsideruar se kjo dispozitë është e kundërligjshme dhe ishte vendosur në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të procedurave ligjore.
Komisioni i Pavarur për Media në mbledhjen e 17 janarit kishte ndryshuar Rregulloren e Punës dhe e kishte shtuar këtë nen, përmes të cilit ishte mundësuar zgjedhja e kryetarit të ri, ndonëse kryetari i KMP-së, Jeton Mehmeti, ishte ende duke ushtruar detyrën e tij dhe kishte mandat deri e datën 21 janar.
Në atë mbledhje ishte zgjedhur kryetar i ri i KMP-së, Besnik Berisha me 4 vota për dhe një të pavlefshme.