Supremja refuzon kërkesën e ZKSH-së për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve
Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit (ZKSH) të paraqitur kundër aktgjykimit të Themelores dhe atij të Apelit, për lirimin e ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, nga akuza për korrupsion.…

Lajme
Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit (ZKSH) të paraqitur kundër aktgjykimit të Themelores dhe atij të Apelit, për lirimin e ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, nga akuza për korrupsion.
Pesë të akuzuarit ngarkoheshin për keqpërdorime lidhur me kontratat në aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 prill 2023, kishte liruar nga akuza Hoxhën dhe katër të tjerët, me arsyetimin se nuk janë provuar faktet konkrete që përbëjnë elemente të kryerjes së veprës penale. Kurse, përmes aktgjykimit të 26 shtatorit 2024, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores.
Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale, me arsyetimin se shkeljet e tilla kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor, dhe shkeljes së Ligjit Penal.
ZKSh-ja kishte propozuar që të aprovohet kjo kërkesë dhe konform dispozitës ligjore të nenit 438, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të vendos këtë çështje penale, por pa e specifikuar konkretisht propozimin e tillë.
Përgjigje në kërkesë ka ushtruar mbrojtja e Shashës, avokatët Tahir Rrecaj dhe A. Rr., të cilët kanë propozuar që të refuzohet si e pabazuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, duke konsideruar se aktgjykimet e kundërshtuara nuk janë të përfshira me shkeljet ligjore të pretenduara.
Edhe mbrojtësja e Cukajt, avokatja Albana Kelmendi, ka propozuar që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë të refuzohet si e pabazuar, me arsyetimin se pretendimet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit nuk qëndrojnë.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe analizimit të pretendimeve të palëve, Gjykata Supreme gjeti se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e pabazuar.
Supremja përmes vendimit të marrë më 6 shkurt 2025, konstatoi se aktgjykimet e kundërshtuara nuk janë të përfshira në shkeje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe as me ndonjë shkelje tjetër të procedurës penale, të cilat do të mund të ndikonin në ligjshmërinë dhe drejtshmërinë e këtyre vendimeve gjyqësore. Po ashtu, gjeti se nuk është shkelur Ligji Penal në favor të të akuzuarve.
Sipas shkallës së tretë, gjykatat e instancave më të ulëta në aktgjykimet e tyre kanë paraqitur arsye të mjaftueshme dhe të qarta në lidhje me të gjitha çështjet e rëndësishme që ndërlidhen me pamjaftueshmërinë e provave, për të vërtetuar përtej çdo dyshimi të bazuar mirë se të pandehurit të kenë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.
“… ndërsa përfundimet e gjykatave në fjalë, që kanë të bëjnë me lirimin nga akuza të të pandehurve janë të drejta dhe të ligjshme, andaj edhe si të tilla janë të pranueshme edhe për Gjykatën Supreme të Kosovës”, thuhet në vendim.
Supremja vlerëson se aktgjykimi i Themelores si në përmbajtje dhe në formë është hartuar në harmoni të plotë me KPP-në dhe se në arsyetimin e vendimit janë paraqitur arsyetime të qarta dhe të mjaftueshme për të gjitha pikat e aktgjykimit.
Aty thuhet se Themelorja ka paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë faktet relevante të cilat i ka konsideruar të vërtetuara apo të pavërtetuara, në mënyrë të veçantë ka vlerësuar të gjitha provat, duke përfshirë edhe ato kundërthënëse dhe arsyet mbi bazën e të cilave ka vendosur që të pandehurit t’i lirojë nga akuza.
Gjithashtu, sipas Gjykatës Supreme, gjykata e shkallës së dytë ka paraqitur arsyet të mjaftueshme dhe të qarta për refuzimin e ankesës së Prokurorisë Speciale dhe vërtetimin e aktgjykimit të Themelores, me të cilin të akuzuarit u liruan nga akuza.
Më tej, thuhet se mbi bazën e administrimit të provave, deklarimeve të dëshmitarëve, gjykata e shkallës së parë kishte ardhur në përfundim se prokurori i shtetit nuk arritur të paraqes prova të mjaftueshme për të vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.
“Arsyetimet e gjykatave të instancave më të ulëta, në veçanti të gjykatës së shkallës së dytë, marrë në tërësinë e tyre, përbëjnë një vlerësim të tërësishëm të të gjitha aspekteve të rëndësishme në lidhje me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me veprave penale dhe përgjegjësinë penale të të pandehurve: Dh.H., F. M., D. Sh., K. C. dhe N. O., andaj edhe si i tilla, mund të konstatohet se arsyetimet e tilla janë hartuar dhe paraqitur, konform dispozitës ligjore të nenit 404, paragrafi 1 të KPP-së, kështu që në këtë drejtim, pretendimet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit janë të pabazuara”, thuhet në vendim.
Sipas Supremes, në rastin konkret nuk është arritur që të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se të pandehurit të kenë vepruar me dashje direkte dhe me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim dy kompanive, duke tejkaluar kompetencat e tyre, në kuptimin e elementeve të figurës së veprave penale për të cilat janë akuzuar.
Pra, shkalla e tretë thekson se nuk është arritur që të argumentohen përtej çdo dyshimi të bazuar mirë, se të pandehurit në fjalë kanë qenë të motivuar dhe kanë pasur për qëllim që veprimet e tyre, që ndërlidhen me aktivitetin “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE”, t’i kenë ndërmarrë me qëllim që dy kompanitë të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.
Gjykata Supreme e gjen si të pabazuar edhe pretendimin që i referohet çmuarjes dhe vlerësimit të provave, për shkak se nga aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, shihet që gjykata në fjalë, pas administrimit të provave, të njëjtat i ka analizuar dhe vlerësuar në mënyrën e duhur.
Aty thuhet se nga arsyetimi i aktgjykimit në fjalë rezulton se të gjitha provat janë vlerësuar një nga një dhe më pas në lidhje me provat tjera, ndërsa më pastaj janë nxjerrë përfundimet e caktuara nëse faktet përkatëse relevante janë vërtetuar apo jo.
Supremja vlerëson se arsyetimet e gjykatave të instancave më të ulëta dhe konkludimet e tyre, janë të drejta dhe gjejnë mbështetje në shkresat e lëndës, si dhe në dispozitat përkatëse ligjore të paraqitura më lart, andaj edhe si të tilla janë të pranueshme edhe për këtë Gjykatë.
Në fund, Gjykata Supreme ka konstatuar se me aktgjykimet e kundërshtuara nuk është shkelur as Ligji Penal në favor të të pandehurve, kjo për faktin se gjykatat në fjalë kanë paraqitur arsye të mjaftueshme dhe të plota se në rastin konkret nuk është arritur që të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se në veprimet e të pandehurve ka ekzistuar dashja, qëllimi përkatës, si komponente subjektive të veprës penale./Betimi për Drejtësi/