Supremja reagon ndaj sulmeve të Krasniqit për gjyqtarin Leku: Tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi.

Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar pas sulmit që i është bërë gjykatësit të kësaj gjykate, Zenel Lekut nga anëtari i VV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Supremja përmes një komunikate për media, ka dënuar ashpër këtë gjuhë reagimi dhe ka konsideruar se deklaratat e tilla, përveç se të papranueshme përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj…

Lajme

01/09/2025 21:51

Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar pas sulmit që i është bërë gjykatësit të kësaj gjykate, Zenel Lekut nga anëtari i VV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Supremja përmes një komunikate për media, ka dënuar ashpër këtë gjuhë reagimi dhe ka konsideruar se deklaratat e tilla, përveç se të papranueshme përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë së Kosovë.

“Lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi. Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt, tregon mungesë të kulturës politike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato, me akuza pa fakte”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.

Nga Supremja, kanë thënë se në një shtet demokratik, është gjyqësori ai që garanton barazinë dhe drejtësinë zgjedhore, “derisa përpjekjet për ta diskredituar një gjyqtar të instancës më të lartë gjyqësore, janë të dëmshme e të papranueshme, për gjykatën, gjyqtarin dhe gjithë shoqërinë”.

“Gjykata Supreme, vendimet e saj i bazon në Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të politikave ditore”, thuhet më tej në këtë reagim.

“Turp i madh” e “mjerim” tha Krasniqi për vendimin e Supremes, ndërsa emrin e gjykatësit Leku e krahasoi me atë të kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek.

“Unë kam dërguar e-mail zyrtar te ai personi që e ka emrin gati si Zlatan Eleku, qashtu dul edhe me mënyrën se si ka dirigju me këtë proces. Zenel Lepa, kush është ky kryesuesi”, tha ai.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërhyri, duke i thënë të flasë “nëse keni fakte diçka për dikënd”.

Krasniqi vazhdoi.

“Kryetar, nëse ke guxim, i fol do fjalë të rënda, kur po flet me Listën Serbe po e ulë kryet dhe s’po bën zë, e mu çka po më pengon, zoti Zenel Leku, i cili ka pranu një e-mail me të gjitha shpjegimet e bëra. Nuk ka denju as me e kthy sepse ka frikë edhe me kthy përgjigje”, tha ai.

Ai pretendoi se gjykatësi Zenel Leku “ka interesa bashkë me ata tjerët”, duke iu referuar lidhjeve me Listën Serbe.

“Kujt i shërbejnë këta njerëz?”, pyeti Krasniqi. /Lajmi.net/

Reagimi i plotë i Supremes: