Supremja hedh poshtë si të palejuar ankesën e Kurteshit dhe Krasniqit për certifikimin e Listës Serbe
Gjykata Supreme ka marrë vendim që të hedh poshtë si të palejuar ankesën e parashtruar nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) A.nr.3/2025, të datës 23 gusht 2025. Me vendimin e PZAP-it ishte aprovuar ankesa e subjektit politik Lista…

Lajme
Gjykata Supreme ka marrë vendim që të hedh poshtë si të palejuar ankesën e parashtruar nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) A.nr.3/2025, të datës 23 gusht 2025.
Me vendimin e PZAP-it ishte aprovuar ankesa e subjektit politik Lista Serbe, duke urdhëruar KQZ-në që të certifikojë këtë subjekt me listën e kandidatëve për Asamble Komunale dhe për kryetar komune për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Kurteshi dhe Krasniqi kishin kërkuar nga Gjykata Supreme anulimin e vendimit të PZAP-it dhe rikthimin në fuqi të vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe. Megjithatë, Gjykata Supreme konstatoi se anëtarët individualë të KQZ-së nuk kanë legjitimitet ligjor për të paraqitur ankesa të tilla, pasi kjo e drejtë i takon vetëm vetë KQZ-së si organ kolegjial.
Për rrjedhojë, ankesa u hodh poshtë si e palejuar.
Gjykata ka thënë se “duke u nisur nga fakti se ankesa ndaj vendimit të PZAP-it në Gjykatën Supreme është parashtruar nga Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi në cilësinë e anëtarit individual të KQZ-së, të njëjtit nuk kanë të drejtë, përkatësisht nuk kanë legjitimitet që të parashtrojnë ankesë në emër të tyre personalisht, pasi që nuk janë palë të drejtpërdrejta sipas vendimit të PZAP-së”.
“Si rrjedhojë, kolegji i Gjykatës Supreme duke u nisur nga fakti se ankesa ndaj vendimit të PZAP-it në Gjykatën Supreme është parashtruar nga Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi në cilësinë
e anëtarit individual të KQZ-së, të njëjtit nuk kanë të drejtë, përkatësisht nuk kanë legjitimitet që të parashtrojnë ankesë në emër të tyre personalisht, pasi që nuk janë palë të drejtpërdrejta sipas
vendimit të PZAP-së. Kjo për faktin se sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate të drejtë për të paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-it, përveç personave që kanë interes
ligjor (të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 119), ka vetëm KQZ-ja, përkatësisht zyra e saj, ashtu siç është e përcaktuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenin 119 paragrafi 2,
e jo anëtarët individual të saj. Për më tepër, këta të fundit e shprehin mendimin e tyre gjatë procesit të vendimarrjes brenda KQZ-së, por nuk legjitimohen që të veprojnë si palë individuale në
procedurë gjyqësore, siç është edhe rasti konkret”,thuhet ndër të tjerash në vendim.
Supremja ka thënë se kolegji i saj nuk është lëshuar në shqyrtimin meritor të çështjes së ngritur me ankesë nga ankuesit.
PZAP-ja e urdhëroi javën e kaluar komisionin zgjedhor ta certifikojë partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – pak ditë pasi asaj iu mohua regjistrimi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.
Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Kurteshi dhe Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër certifikimit të kësaj partie.
Ky rast ishte pothuajse një përsëritje e rastit të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit, kur LVV e kishte kundërshtuar deri në Supreme pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, por pa sukses.
Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe është kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe nga Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.
Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.
Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok./Lajmi.net/
https://indeksonline.net/wp-content/uploads/2025/08/SUP_AA-_75_2025_SQ.pdf