“Sunny Hill” në të ardhmen do të mbahet në Prishtinë dhe Tiranë? Flet përfaqësuesi i festivalit
Që nga pasditja e djeshme në Kosovë po diskutohet festivali i "Sunny Hill".

ShowBiz
Kjo pasi ky festival ka njoftuar se nuk do të mbahet në Prishtinë, aty ku është mbajtur në edicionet e kaluara, por zhvendoset në Tiranë, shkruan lajmi.net.
Organizatori i këtij festivali, Dukagjin Lipa, përmes një reagimi publik ka bërë të ditur që ndryshimi i lokacionit ka ardhur si pasojë e zvarritjes së procesit të institucioneve të Kosovës për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. Lajmi për dështimin e këtij festivali që të organizohet në Prishtinë, ka nxitur reagime të shumta në opinion.
Për lajmi.net ka folur përfaqësuesi i këtij festivali, Alban Kastrati, i cili ka dhënë detaje rreth mbajtjes së këtij festivali.
I pyetur rreth lajmeve të cilat kanë qarkulluar se “Sunny Hill” do të mbahet dy ditë në Prishtinë e dy ditë në Tiranë, Kastrati ka sqaruar se një gjë e tillë nuk është planifikuar për këtë vit por se planifikohet për një të ardhme të largët.
“Festivali “Sunny Hill” ka ambicie me u zgjeru edhe përtej Prishtinës, por kjo do të duhej të bëhej në kushte normale e jo në kushte kur ne detyrohemi të zgjedhim njërën ose tjetrën, nuk duhet me qenë përjashtuese, mundet me qenë edhe në Prishtinë edhe në Tiranë. Edhe po, ka një plan të tillë në të ardhmen e largët por nuk ka qenë plani për këtë vit, për këtë vit festivali është planifiku me u mbajt në Prishtinë”, ka përfunduar Kastrati.
Kujtojmë se dështimi i mbajtjes së festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë ngjalli reagime edhe të partive opozitare, të cilat fajësuan Qeverinë për zvarritjen e procedurave dhe mosdhënien në shfrytëzim të pronës komunale.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në anën tjetër ka fajësuar Komunën e Prishtinës për vonesë në dërgimin e kërkesës për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, e gjithashtu edhe mungesë të dokumenteve bazë për një kërkesë të tillë. /Lajmi.net/