Sundimi i dobët i ligjit shkakton vonesa në liberalizimin

Afrim Hoti mendon se vonesat në procesin e liberalizimit po shkaktohen për shkak të sundimit të dobët të ligjit. Ai thotë se BE do ët jetë e pakompromis ndaj Kosovës. Bajram Rexhepi thotë se Kosova është afër përmbushjes së kritereve.

Lajme

20/03/2014 07:35

Mungesa e sundimit të ligjit ka shkaktuar vonesa të mëdha dhe ka ndaluar përparimin e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Kështu të paktën mendon profesori Afrim Hoti, i cili thotë se BE’ja do të jetë e pakompromis kundrejt Kosovës, në mënyrë që kjo e fundit të plotësojë të gjitha kriteret e kërkuara.

“Sundimi i ligjit, administrata efikase, lufta kundër korrupsionit, menaxhimi i integruar i kufirit, janë kritere të cilat e përshpejtojnë ose apo ngadalësojnë procesin. Por, sundimi i ligjit mbetet një problem i madh, për shkak se Kosova ka vetëm vonesa në këtë drejtim”.

“Mungesa e sundimit të ligjit, korrupsionit dhe të gjitha këto mund të jenë vërejtje që t’u bëhen institucioneve tona në mnyrë direkte, sepse BE’ja dhe misionarët e saj janë të pakompromis, ashtu siç është i pakompromis edhe Komisioni Europian në plotësimin e kritereve”, ka thënë Afrim Hoti për KosovaSot.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi thotë se ministria e tij qëndron mirë.

Ai pret vlerësimin e ekspertëve të BE’së, të cilët do të dalin me vlerësime të tyre pas katër javësh.

“Sa i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme, ne qëndrojmë mjaft mirë”.

“Vlerësimet e ekspertëve të BE’së do të dalin pas katër javësh, Policia dhe IBM’ja qëndrojnë goxha mirë. Ne e kemi thënë edhe më herët se jemi afër përmbushjes së kritereve”, ka thënë Rexhepi për të përditshmen “KosovaSot”.