Sulmohen fizikisht dy policë jashtë detyrës në Mitrovicë të Veriut, njëri pëson lëndime të rënda – arrestohen katër persona
Dy zyrtarë policorë janë sulmuar fizikisht në orët e para të mëngjesit të sotëm në Mitrovicë të Veriut, derisa ndodheshin jashtë orarit zyrtar në një lokal në rrugën “Boris Kidriç”. Si pasojë e sulmit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, sipas së cilës,…
Lajme
Dy zyrtarë policorë janë sulmuar fizikisht në orët e para të mëngjesit të sotëm në Mitrovicë të Veriut, derisa ndodheshin jashtë orarit zyrtar në një lokal në rrugën “Boris Kidriç”. Si pasojë e sulmit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, sipas së cilës, incidenti ka nisur pasi dy zyrtarët janë fyer nga disa persona për shkak të profesionit të tyre, transmeton lajmi.net.
Situata ka eskaluar më pas, kur policët kanë dalë jashtë lokalit, ku janë sulmuar fizikisht nga një grup personash. Njëri prej tyre ka marrë lëndime të rënda trupore, sipas vlerësimit të mjekut kujdestar, dhe ka pasur nevojë për trajtim mjekësor.
Pas raportimit të rastit, njësitë policore kanë reaguar dhe në vendin e ngjarjes kanë arrestuar dy persona të dyshuar, me inicialet S.L., i lindur në vitin 2001, dhe U.L., i lindur në vitin 2005.
Gjatë hetimeve të mëtejshme, policia ka kontrolluar edhe adresën e banimit të njërit prej të dyshuarve, në Mitrovicë të Veriut, ku ka gjetur dhe sekuestruar disa armë me leje.
Ndërkohë, hetuesit rajonalë kanë vazhduar veprimet operative, duke identifikuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në sulm. Bëhet fjalë për N.M., të lindur më 2004, dhe L.M., të lindur më 2005.
Edhe gjatë kontrollit ndaj njërit prej këtyre personave është gjetur dhe sekuestruar një armë me leje.
Të katër të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti po hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./lajmi.net/