Sulmet ajrore amerikane thyejnë rrethimin e refugjatëve nga ISIS
Ushtria amerikane ka kryer edhe të premten disa sulme ajrore në Irakun verior kundër ekstremistëve të të ashtuquajturit “Shtetit Islam”, duke thyer kështu rrethimin e refugjatëve të krishterë, të kurdëve dhe atyre nga komuniteti Yazidi, që janë ngujuar në malet e Sinjar-it në veri të Irakut.

Bota
Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se sulmet kanë shkatërruar disa automjete me të cilat kanë vepruar kryengritësit e organizatës terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS), e cila ka shpallur “Shtetin Islamik” brenda territorit që kontrollojnë në këto dy vende, me synim zgjerimin e tij.
Operacioni i sotëm u erdhi në ndihmë forcave kurde që po luftojnë me militantët Suni të ISIS-it, dhe pasi presidenti amerikan, Barack Obama, tha se fushata ajrore ka arritur objektivat e saj në mbrojtje të personelin amerikanë në qytetin kurd Irbilit, duke thyer edhe rrethimin që militantët i kishin bërë malit Sinjar, ku ndodhen më shumë se 150 mijë refugjatë.
Presidenti Obama duke përjashtuar mundësinë e trupave tokësore, tha se operacionet ajrore të ushtrisë amerikane dhe ndihma humanitare do të vazhdojë për të siguruar evakuimin e refugjatëve që janë vënë në shënjestër nga “Shteti Islamik”, vetëm se u takojnë sekteve apo besimeve tjera.
Rreth pesë minj civilë janë vrarë, ndërsa 300 mijë veta janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre gjatë dy muajve të fundit, si pasojë e dhunës që po ushtrojnë militantët e ISIS, që tashmë kanë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të Sirisë dhe Irakut.