Sulm gjatë fushatës, vriten 22 sirianë

Të paktën 22 persona kanë vdekur kur rebelët sirianë kanë bombarduar një tendë që po përdorej për fushatë zgjedhore në provincën jugore Deraa.

Bota

23/05/2014 15:02

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me bazë në Londër, ka njoftuar se në mesin e të vdekurve janë të paktën 11 civilë duke përfshirë edhe një fëmijë.

Po ashtu më shumë se 30 persona janë plagosur nga ky sulm, ndërsa disa prej tyre, sipas raporteve, kanë marrë lëndime të rënda, raporton RFE.

Siria do t’i mbajë zgjedhjet presidenciale me 3 qershor, ndërsa Bashar al-Assad ka kandiduar për një mandat të tretë shtatëvjeçarë.

Observatori me seli në Londër i cili monitoron dhunën në anën e rebelëve dhe forcave qeveritare, njofton se më shumë se 160 mijë persona janë vrarë që nga fillimi i luftës civile në Siri, tri vite më parë.

Protestat që filluan tri vjet më parë për rrëzimin e qeverisë së presidentit Al Assad u bën të dhunshme dhe më pas nisi edhe lufta civile, mes forcave të presidentit, atyre të opozitës dhe të grupeve të ndryshme me baze fetare. Që atëherë, miliona sirianë janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre.