Studimi i ri: Doza e tretë përforcuese e vaksinave Covid-19 nuk është e nevojshme

“Në tërësi, studimet e disponueshme nuk japin dëshmi të besueshme për rënien e mbrojtjes kundër sëmundjeve të rënda, që është qëllimi kryesor i vaksinimit,” tha autorja kryesore e studimit Ana-Maria Henao-Restrepo nga OBSH.

Lajme

15/09/2021 14:52

Një dozë e tretë e vaksinës nuk është e nevojshme për popullatën e përgjithshme pasi vaksinat kundër COVID-19 janë mjaft efektive në parandalimin e sëmundjeve të rënda, sipas një raporti të publikuar nga  revista shkencore ndërkombëtare ‘The Lancet’.

Disa vende kanë filluar të ofrojnë dozat shtesë për shkak të frikës nga variant ‘Delta’ që është shumë më ngjitës, dhe si rezultat, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar një moratorium për dozat e treta, në sajë të shqetësimeve për furnizimet me vaksina për vendet më të varfra, ku me miliona ende nuk kanë marrë dozën e parë, transmeton lajmi.net.

Por një raport nga shkencëtarët, përfshirë ato nga OBSH-ja, arriti në përfundimin se edhe me shfaqjen e variantit më kërcënues ‘Delta’, “dozat përforcuese për popullatën e përgjithshme nuk janë të përshtatshme në këtë fazë të pandemisë.”

Autorët zbuluan se vaksinat mbeten shumë efektive kundër simptomave të rënda të COVID-19, për të gjitha variantet kryesore të virusit, përfshirë variantin Delta, edhe pse ato kishin sukses më të ulët në parandalimin e sëmundjeve asimptomatike.

Në tërësi, studimet e disponueshme nuk japin dëshmi të besueshme për rënien e mbrojtjes kundër sëmundjeve të rënda, që është qëllimi kryesor i vaksinimit,” tha autorja kryesore e studimit Ana-Maria Henao-Restrepo nga OBSH.

Nëse vaksinat përdoren aty ku nevojiten më tepër, ato mund të përshpejtojnë fundin e pandemisë duke penguar evolucionin e mëtejshëm të varianteve,” shtoi ajo.

Franca ka filluar të ofrojë dozat e treta për të moshuarit dhe njerëzit me sistem imunitar të dobët, ndërsa Izraeli ka shkuar më larg, duke u ofruar fëmijëve mbi 12 vjeç një dozë të tretë, pesë muaj pas vaksinimit të plotë.

Studimi nga ‘Lancet’ arriti në përfundimin se variantet aktuale nuk ishin zhvilluar aq sa duhet për t’i shpëtuar përgjigjes imune të mundësuar nga vaksinat që janë aktualisht në përdorim.

Autorët argumentojnë se nëse shfaqen mutacione të reja të virusit, që janë në gjendje të shmangnin këtë përgjigje, do të ishte më mirë të ofroheshin doza nxitëse posaçërisht të modifikuara që shënjestrojnë variantet më të reja dhe jo doza të bazuara në vaksinat ekzistuese.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u ka bërë thirrje vendeve që të shmangin dhënien e dozave shtesë të vaksinave deri në fund të vitit.

Agjencia shëndetësore e OKB-së dëshiron që të paktën 70 % e popullsisë së botës të vaksinohet nga mesi i vitit të ardhshëm.

Por Tedros u ankua se megjithëse pothuajse të gjitha vendet e pasura kanë arritur shifrën 10% të vaksinimit të popullsisë, dhe më shumë se 70% kanë arritur në 40%, “asnjë vend me të ardhura të ulëta nuk ka arritur asnjë objektiv”. /Lajmi.net/