Studenti kosovar që merr oferta pune nga e gjithë bota, ka një thirrje për Qeverinë

Në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shteti ynë përballet me numër të madh të papunësisë.

Lajme

12/02/2018 09:01

Shumë studentë të cilët kanë përfunduar studime në universitetet më prestigjioze në botë, në Kosovë vazhdojnë të mbesin si të papunë përderisa shtetet e huaja bëjnë çmos që ata t’i punësojnë. I tillë është edhe rasti i Dren Gashit.

Ai ka studiuar në inxhinieri në Universitetin “Westminster”, në Londër.

Gashi në një postim të tij në profilin zyrtar në rrjetin social “Facebook”, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që për nder të përvjetorit të 10 të Pavarësisë, t’i ofrojë atij punë në shtetin e tij, e jo siç shprehet ai, të punojë për shtetet e tjera.

“Ju lutem më bëni që t’i refuzoj këto oferta, Unë dua të kontribuoj në vendin tim. Aty ku jetojnë prindërit e mi, aty ku kam miq, aty ku kam shokë, ku kam zemrën edhe mendjen. Punoni për popullin e shkretë, harroni urrejtjen dhe mbi të gjitha harrojini karriget e juaja të mallkuara. Në fund, hapini dyert mendjeve të reja që kanë mësuar më mirë se ju ta duan dhe ta ndërtojnë atdheun”, ka shkruar Dreni ndër të tjerash.

Postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:

Të dashur miq,
Edhe një herë si vitin e kaluar u zgjodha studenti më i dalluar në drejtimin e inxhinierisë së ndërtimtarisë ndër 100 student të tjerë të këtij fakulteti në Westminster University. Por ky është vetëm fillimi …
Disa ditë më parë më ofruan bursë në një Universitet tjeter në Londër për të vazhduar studimet në ingjinieri Civile . Por ky është prap vetëm fillimi …
Mora oferta pune në Londër dhe pres të tjera gjithandej jasht Kosoves. Edhe ai do të jetë vetëm fillimi …
Ajo që po mundohem të them është se Kosova jonë e dashur po humb dita ditës të rinj ambicioz, e që janë çels i sukseseve të shteteve të zhvilluara perendimore. Ky është fakt i gjallë, ja unë jam ekzemplar !
E ky nuk është një fillim i mbarë për Kosovën. 10 vite pavarsi, dhe pushteti ka krijuar Çernobil politik. Ka dëbuar në mënyrë pasive të rinj e punëtor në shtete tjera të cilat po rekrutojnë mendjet e reja dhe të ndritura Kosovare.
Të dashur udhëheqës të shtetit,
Ju lutem më bëni që t’i refuzoj këto oferta, Unë dua të kontriboj në vendin tim. Aty ku jetojnë prindërit e mi, aty ku kam miq, aty ku kam shokë, ku kam zemren edhe mendjen. Punoni për popullin e shkretë, harroni urrejtjen dhe mbi të gjitha harrojini karrikat e juaja të mallkuara. Në fund, hapini dyert mendjeve të reja që kanë mësuar më mirë se ju ta duan dhe ta ndërtojnë atdheun.
Sidoçoftë nëse e lexoni këtë shkrim, ndaluni dhe mendoni, ne kemi një shpresë, ajo është rinia e cila me anë të vullnetit të mirë sjell përparim. Shprëndajeni këtë shkrim dua që ta lexojnë të gjithë ata që i thonë vetës patriot ! ! !
Faleminderit familjes për përkrahjen.
Faleminderit zotit që më jep shpirt.
Faleminderit Kosovës që një ditë do të jetë vendi më i zhvilluar në Ballkan. ( optimizëm )
Tash po e qkyej një pulë tNandosit si vetshperblim për arritjen time ë, e rruges për n’shpi do lexoj gorillat që si pamë …
Urime 10 vjetori pak ma heret