Studentët i japin një javë kohë rektorit të ri

E plotësuar: Studentët e pavarur të Universitetit të Prishtinës i kanë dhënë një javë kohë Këshillit Drejtues të UP-së që të dalin me një vendim rreth kërkesës së tyre për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu.

Lajme

15/09/2014 14:02

Sipas një njoftimi për medie të lëshuar nga grupi i studentëve, një premtim i tillë atyre u është bërë nga kryetarja e KD-së, Shefkije Islamaj, e cila u ka kërkuar një javë kohë për ta shqyrtuar kërkesën e tyre. 

“Pas aktivitetit te sotëm para Rektoratit te Universitetit të Prishtinës, Kryetarja e Këshillit Drejtues Znj. Shefkie Islami kërkoi nga ne që t’iu japim një javë kohë këtij Këshilli deri në nxjerrjen e një vendimi në lidhje me këtë çështje. Në mirëkuptim të Kryetares së KD , dhe për të mos bllokuar funksionalizimin e punës së rektoratit ne po u japim një javë kohë që të reflektoj rektori me dorëheqje apo Këshilli Drejtues ta shkarkoj rektorin, në të kundërtën ne do të vijojmë me protesta deri në realizimin e kërkesave tona”, thuhet në njoftim. 

Një grup i studentëve të pavarur të UP-së për disa ditë me radhë kanë organizuar aktivitete simbolike para Rektoratit të UP-së në shenj pakënaqësie për zgjedhjen e retorit të ri, Ramadan Zejnullahu. 

Ata kishin paralajmëruar nga sot protesta të vazhdueshme para këtij institucioni deri në shkarkimin e të parit të tij.

___________________________

Kërkohet dorëheqja e rektorit të ri

Dhjetëra studentë të UP-së kanë dalë mëngjesin e sotëm përballë Rektoratit duke protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e rektorit të ri, Ramadan Zejnullahu.

Studentët nuk kanë dashur ta bllokojnë kryetaren e Bordit Drejtues, Shefkije Islamajn. Ata e kanë lënë të hyjë lirshëm aty, për një arsye. Dëshironin që në mbledhjen e sotshme të Këshillit Drejtues të UP-së, në rend dite të futej edhe dorëheqja e rektorit Ramadan Zejnullahu.

Studentët konsiderojnë se zgjedhja e këtij rektori është bërë në mënyrë jo të drejtë. Sipas tyre, ai përpos që është zgjedhur nga baxhanaku i tij për këtë pozitë, ai në njëfarë mënyre edhe ka qenë i detyruar.

Rifat Krasniqi, student në Fakultetin Teknik, thotë se do të protestojnë deri në dorëheqjen e këtij rektori.

“Ne ju qëndrojmë pas kërkesave tonë pasi që mendojmë se jemi të arsyeshëm, është bërë shkelje dhe për këtë dikush duhet të jep përgjegjësi. Këtë rektor ne nuk e pranojmë”.

“Sot kemi dalë një numër më i vogël pasi që dihet se shumica e studentëve janë përgatitje për afatin e shtatorit dhe as që janë vendosur në Prishtinë duke qëndruar ende në vendlindjet e tyre”.

“Ne do të vazhdojmë me protestat tona deri në largimin e këtij rektorit të vetëemëruar. Kështu pasi që, zgjedhja e tij vije nga baxhanaku, i detyruar të aplikojë për atë pozitë”, thotë ai duke folur në emër të protestuesve.

Vetë rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahui kishte vetëm një koment përballë studentëve të pakënaqur me mënyrën e ardhjes së tij në pozitën e rektorit.

 “Asnjëherë nuk do të kërkojmë të hiqem nga këtu, edhe pse bisedojmë”, ka thënë Zejnullahu, ndërsa pa hyrë brenda një studentë i kundërpërgjigjet “ju mos kërkoni, kërkojmë ne”.

Për ta shprehur pakënaqësinë, në protestë kishte ardhur edhe një prind, Sokol Berisha nga Komuna e Rahovecit. Ai pretendon se djalit të tij i cili ka konkuruar në Stomatologji nuk i është mundësuar pranimi me pa të drejtë. E për shkak të shpërndarjes së komisionit, as ankesa e tij nuk po shkon në vendin e duhur.

“Ardit Berisha, djali im, ka konkurruar në fakultetin e Mjekësisë, Dega Stomatologji. Në shkollë të mesme ka qenë drejtimi Shkenca Natyrore”.

“Arditi ka qenë me 68.25 pikë dhe s’është pranuar. Ndërsa pas këtij vjen një tjetër me 68.20 pikë por që është pranuar vetëm i pari pas djalit tim. Mos të flasim për atë që është pranuar me 67.15. Ndërsa djali im është me 68.25”.

“Ministria e Arsimit më thotë të mos dalë nga Rektorati deri sa të më bëjnë zgjidhje. Më thonë të flas me komisionin, komisionin nuk është aty, është shpërndarë, a jam unë kompetent ta grumbullojë komisionin?”, pyet Berisha.