Studentët bllokojnë edhe sot Rektoratin

Po vazhdon bllokimi i Rektoratit nga një grup i studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Lajme

15/10/2015 09:53

Protestat e studentëve kanë filluar tash e disa ditë, për kërkesat që kanë të bëjnë me afatet dhe kushtet për provime.

Megjithatë, për dallim nga ditët e kaluara, sot protesta duket më e zbehtë, me numër më të vogël studentësh, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë, Parlamenti Studentor me anë të një njoftimi ka lajmëruar arsyet se pse edhe sot ka protesta.

“Rektori në mbledhjen e Këshillit Drejtues ka thënë që as që i interesojnë kërkesat e Studentëve! Kështu që nesër ju ftojmë të mblidheni të gjithë sa më shumë dhe nga ora 08:00 të bllokojmë hyrjen e rektoratit. Ja nesër ja kurrë, më mirë dy ditë me qendru para rektoratit se me hup një vit! Nesër është treni i fundit”, ishte thënë dje në një njoftim të Parlamentit Studentor të UP-së.

Kurse, studentët kanë 4 kërkesa.

1. Kriteri i arritjes së kushtit për gjeneratën 2014/15, niveli Bachelor të jetë me 70% të kredive ose të provimeve;
2. Kriteri i arritjes së kushtit për niveli Master të jetë me 50% të kredive ose provimeve;
3.Të ketë afat të tetorit, ku studentët do të kenë të drejtë të paraqesin nga dy provime dhe I njëjti të vlejë për arritjen e kushtit për vitin vijues;
4. Të kthehen afatet e absolventëve në të gjitha njësitë akademike. 
/lajmi.net