Stoltenberg, thirrje për unitet mes vendeve anëtare të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg iu bëri thirrje aleatëve të ruajnë dhe forcojnë “unitetin” e tyre, duke thënë se kjo organizatë është “garantuesi i vetëm i sigurisë evropiane dhe transatlantike”.

Bota

19/11/2019 22:37

Stoltenberg  tha se NATO “vetëm sa është bërë më e fuqishme në 70 vitet e fundit”, megjithë “dallimet” midis aleatëve për çështje të tilla si tregtia, ndryshimet klimatike, marrëveshja bërthamore me Iranin, dhe situata në verilindje të Sirisë.

Deklarata ai i bëri në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët synojnë të përfundojnë përgatitjet për samitin e muajit të ardhshëm në Londër.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në takimin e tyre do të diskutojnë çështjet strategjike të Aleancës, përfshirë “Rusinë, ndikimin në rritje të Kinës, të ardhmen e kontrollit të armëve dhe sigurinë e energjisë.

Takimi do të trajtojë gjithashtu rolin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit, përfshirë misionet e tij në Afganistan dhe Irak, për të cilat Stoltenberg tha se “vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e ringjalljes” të Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera ekstremiste.

Sekretari i Përgjithshëm tha se përpjekjet e NATO-s për të luftuar kërcënimet për sigurinë kibernetike dhe dezinformimit, do të jenë gjithashtu në agjendë dhe njoftoi se “ekipi i parë i ndihmës” është në Mal të Zi këtë javë.

NATO-ja krijoi ekipe të tilla vitin e kaluar, për të ofruar ndihmë ndaj aleatëve, si përgjigje ndaj propagandës dhe taktikave të tjera jo-ushtarake.