Starmer kërkon që ish-princi Andrew të dëshmojë para Kongresit amerikan për çështjen Epstein pasi i dolën fotografitë
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka bërë thirrje që Andrew Mountbatten-Windsor të paraqitet para Kongresit të Shteteve të Bashkuara për të dhënë dëshmi lidhur me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, pas publikimit të një numri të madh dokumentesh nga Departamenti amerikan i Drejtësisë. Duke folur për këtë çështje, Starmer theksoi se kushdo që posedon…
Bota
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka bërë thirrje që Andrew Mountbatten-Windsor të paraqitet para Kongresit të Shteteve të Bashkuara për të dhënë dëshmi lidhur me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, pas publikimit të një numri të madh dokumentesh nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Duke folur për këtë çështje, Starmer theksoi se kushdo që posedon informacione të rëndësishme duhet të jetë i gatshëm t’i ndajë ato me autoritetet, në çfarëdo forme që kërkohet. “Sa i përket dëshmisë, gjithmonë kam thënë se kushdo që ka informacion duhet të jetë i përgatitur ta ndajë atë informacion në çfarëdo forme që i kërkohet ta bëjë këtë,” u shpreh ai, duke nënvizuar se qasja ndaj kësaj çështjeje duhet të vendosë viktimat në qendër, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, nuk mund të ketë fokus real te viktimat nëse personat që kanë njohuri nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me proceset përkatëse. “Nuk mund të jesh i përqendruar te viktima nëse nuk je i përgatitur ta bësh këtë. Viktimat e Epstein duhet të jenë përparësia e parë,” deklaroi Starmer.
I pyetur për mundësinë e një kërkimfaljeje, ai u shpreh shkurt: “Sa i përket nëse duhet të ketë një kërkim falje, kjo është një çështje që i takon Andrew-t.”
Publikimi i fundit i dokumenteve përfshin edhe shkëmbime emailesh dhe materiale të tjera që hedhin dritë mbi kontaktet mes Andrew-t dhe Epstein.
Në një deklaratë të mëhershme, të lëshuar më 17 tetor 2025, Andrew ka përsëritur se i mohon fuqishëm akuzat ndaj tij.
Zhvillimet e fundit vijnë në një kohë kur presioni për transparencë dhe përgjegjësi lidhur me rrjetin e Epstein vazhdon të mbetet i lartë./lajmi.net/