SPD i bën thirrje Gjermanisë: Dyfishoni mbështetjen për Kosovën
Zëdhënësi për politikë të jashtme i Social Demokratëve në Gjermani (SPD), Addis Ahmetovic, ka kërkuar nga vendi i tij që ta dyfishojë mbështetjen e tij për Kosovën. Në një intervistë për DW, tha se promovimi i integrimit të Ballkanit në BE është e vetmja mënyrë që të arrihet stabilitetit në rajon. “Duhet të monitorojmë situatën…

Lajme
Zëdhënësi për politikë të jashtme i Social Demokratëve në Gjermani (SPD), Addis Ahmetovic, ka kërkuar nga vendi i tij që ta dyfishojë mbështetjen e tij për Kosovën.
Në një intervistë për DW, tha se promovimi i integrimit të Ballkanit në BE është e vetmja mënyrë që të arrihet stabilitetit në rajon.
“Duhet të monitorojmë situatën në Ballkanin Perëndimor çdo ditë dhe në baza të vazhdueshme. Politika për këtë rajon nuk duhet të kufizohet vetëm në nxitjen ekonomike, por duhet të mbetet pjesë përbërëse e agjendës sonë të politikës së jashtme. Po i ndjek me kujdes zhvillimet në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë. Ne jemi të interesuar që situata politike të jetë stabile. Për Kosovën, kjo nënkupton konkretisht se duam që ky shtet të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur; nga perspektiva e SPD-së [Partia Socialdemokrate Gjermane], sa më shpejt”, deklaroi Ahmetovic, që është edhe deputet në Parlamentin gjerman.
Se kur qeveria gjermane do ta adresojë çështjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, ai tha se nuk mund të japë datë konkrete.
“Nuk mund të jap një datë konkrete. Por, si zëdhënës për politikë të jashtme i grupit parlamentar të SPD-së në Bundestag, mund t’ju them qartë se kolegu im Frank Schwabe dhe unë do të angazhohemi që SPD-ja të vazhdojë në këtë drejtim. Kjo vlen edhe për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Më vjen shumë keq që në mandatin e kaluar – pavarësisht qeverisë së koalicionit mes socialdemokratëve, konservatorëve dhe të gjelbërve – kjo nuk u arrit. Ka pasur një momentum strategjik që duhej shfrytëzuar. Ndoshta do të kishte qenë e mundur me më shumë presion politik”, u shpreh ai.
I pyetur se ndaj kujt duhet ushtruar presion, zëdhënësi i SPD-së tha se “Qeveria gjermane do të duhej të kishte bërë më shumë përpjekje për të bindur shtetet anëtare të Këshillit të Evropës”.
“Ka pasur vende që e kanë refuzuar pranimin e Kosovës [në Këshillin e Evropës]. Gjermania ka një peshë të madhe në këtë organizëm dhe duhet ta ushtrojë atë me një vetëbesim modest. Herën e fundit kjo nuk funksionoi. Por ne, grupi parlamentar i SPD-së, mbetemi të vendosur. Ministri i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, dhe grupi parlamentar i CDU/CSU janë shprehur qartë në favor të anëtarësimit të Kosovës; ne do t’ua kujtojmë dhe do t’u kërkojmë llogari”.
Ahmetovic është i mendimit se nëse BE-ja do stabilitet në Ballkanin Perëndimor, duhet shtyrë “seriozisht përpara procesin e integrimit në BE për të gjashtë vendet që ende nuk janë anëtarësuar në këtë bllok”.
Ai thotë se “edhe Kosova ka nevojë për një perspektivë të besueshme dhe transparente”.
“Anëtarësimi në NATO është të paktën po aq i rëndësishëm sa anëtarësimi në BE. Të dyja, si BE-ja ashtu edhe NATO-ja, janë thelbësore për një jetë në paqe, liri dhe siguri. Nuk mund ta vlerësoj saktësisht se kur do të ndodhë kjo, por si deputet i SPD-së, do të vazhdoj të luftoj për këtë çështje. Kjo gjithashtu nënkupton që të gjashtë vendet – Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë”, theksoi zëdhënësi për Politikë të Jashtme i SPD-së.
Addis Ahmetovic foli edhe për ngërçin politik në Kosovë, ku edhe pas gati 50 përpjekjesh, deputetët nuk po arrijnë të konstituojnë Kuvendin.
Ai tha se LVV-ja e Albin Kurtit është parti simotër e SPD-së, ndërsa nuk e komentoi si fenomen situatën, por tha se vendit i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe një parlament funksional që të mund të avancojë drejt KiE-së, “e ndoshta së shpejti, edhe në NATO”.
“Mbaj kontakte të ngushta me qeverinë e Kosovës. Ne duam një veprim qeveritar të qëndrueshëm dhe një parlament funksional. Kjo është thelbësore për të gjithë hapat pasues. Vetëm nëse kjo vazhdon të ketë sukses, Kosova do të mund të avancojë në Këshillin e Evropës, në procesin e anëtarësimit në BE dhe, ndoshta së shpejti, edhe në NATO. Këto procese janë ngushtësisht të ndërlidhura”, theksoi ai.