Spanjë: Shkatërrohet rrjeti i trafikantëve që dërgonin shqiptarë në Britani, 97 të arrestuar

Policia spanjolle ka njoftuar se ka arritur të shkatërrojë një rrjet trafikantësh të cilët çonin me avionë shtetas shqiptarë në Britani nga Spanja, duke përdorur dokumente false.

Bota

13/08/2015 07:59

Autoritetet njoftuan se janë arrestuar 12 të dyshuar si trafikantë si dhe 85 persona të tjerë me dokumente false të cilët do të merrnin avionin për të shkuar në Britani.

Përmes një njoftimi, Policia spanjolle ka thënë se anëtarët e këtij rrjeti kontaktonin njerëz në Shqipëri, të cilët dëshironin të largoheshin nga vendi, duke ju premtuar atyre punë në Britani ose Irlandë.

Shqiptarët të cilët pranonin të shkonin në Britani përmes kësaj mënyre, duhet të shkonin fillimisht në Spanjë, duke kaluar nga Turqia ose Italia.

“Anëtarët e grupit në Barcelonë do të kujdeseshin që të bënin rezervimin e hotelit, të blenin biletat e udhëtimit si dhe të udhëzonin emigrantët se çfarë duhet të bënin dhe si të shmangnin zbulimin gjatë kontrolleve policore”, thuhet në deklaratë.

Grupi pajiste emigrantët me pasaporta të rreme, leje qëndrimi, leje drejtimi dhe kartë shëndeti me identitete rumune, italiane dhe greke.

Policia ka arrestuar katër persona në Barcelonë, 81 të tjerë në aeroportin e këtij vendi, i quajtur “El Prat”, katër persona në aeroportin e Madridit, “Adolfo Suarez” si dhe tetë të tjerë në Palma de Majorka. Në mesin e të arrestuarve janë edhe gjashtë minorenë.

Po ashtu, janë konfiskuar edhe 100 dokumente të ndryshme, si karta identiteti, leje qëndrimi, karta studenti dhe leje drejtimi me identitete italiane, rumune, greke, franceze, belge, bullgare dhe sllovene.

Aksioni i autoriteteve spanjolle kishte nisur që në nëntor të vitit 2014, pasi kishin hetuar se nga aeroportet e lartpërmendura kishte shumë fluturime në drejtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës. /Top Channel