SPAK përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim çështjen ndaj grupit të Laert Haxhiut

Prokuroria e Posaçme çon për gjykim grupin kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj një grupi të strukturuar kriminal, i përbërë nga Laert Haxhiu, Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani. Të pandehurit akuzohen për një…

Lajme

04/10/2025 18:38

Prokuroria e Posaçme çon për gjykim grupin kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj një grupi të strukturuar kriminal, i përbërë nga Laert Haxhiu, Kristi Bixheku dhe Artan (Marjus) Tafani.

Të pandehurit akuzohen për një sërë krimesh të rënda që përfshijnë:

  • vrasje me paramendim,

  • vrasje për gjakmarrje,

  • shkatërrim prone me eksploziv,

  • vjedhje me armë,

  • sigurim kushtesh për vrasje.

Akuzat ndaj Laert Haxhiut

Laert Haxhiu, drejtues dhe organizator i grupit të strukturuar kriminal, akuzohet për veprat e mëposhtme penale:

  1. Shkatërrim prone me eksploziv – më 5.4.2021, në Lushnjë, në bashkëveprim me Lulzim (Arapi) Spahija, në dëm të shtetasit Arian Aliço.

  2. Shkatërrim prone me eksploziv – më 29.5.2021, ora 02:15, në Lushnjë, në bashkëveprim me Artan Tafani, në dëm të Besnik dhe Erion Çoku.

  3. Vrasje me paramendim – më 1.6.2021, ora 21:15, në Tepelenë, në bashkëveprim me Tafani, Erisiano Abedini, Ligor Romaçka dhe Bujar Abedini, me viktimë Çajup Selimi.

  4. Vrasje me paramendim – më 2.6.2021, në bashkëveprim me Tafani, Romacka, Topuzi, Berberi dhe Spahija, me viktimë Fridman Xhaferraj. Trupi u gjet më 13.6.2021, tek rezervuari i Gjançit, Korçë.

  5. Vrasje me paramendim, e kryer për interes – më 17.10.2021, në Peqin, në bashkëveprim me Tafani, Spahija, Topuzi dhe Berberi, me viktimë Alban Semaku (Elton Mermali).

  6. Vrasje për gjakmarrje – më 27.12.2021, në Gjoçaj, Peqin, në bashkëveprim me Enriko Xhahysa, Tafani dhe Spahija, me viktimë Albi (Dijonist) Bashaliu.

  7. Vjedhje me armë – më 27.1.2022, në autostradën Tiranë-Elbasan, në bashkëveprim me Tafani dhe Spahija, në dëm të Gëzim Çepele.

  8. Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë – më 20.4.2022, në Lushnjë, në bashkëveprim me Tafani, Spahija dhe Dorian Shurdhi (i ndjerë), në dëm të Kujtim Meta.

  9. Shkatërrim prone me eksploziv – më 8.6.2022, në Durrës, në bashkëveprim me Tafani, Spahija dhe Abedini, në dëm të Bashkim dhe Rigels Rajku (Noizy).

  10. Sigurim kushtesh për vrasje – më 6.7.2022, në Lushnjë, në bashkëveprim me Tafani dhe Fatjon Veliun, për të vrarë Rexhep Ginën.

  11. Shkatërrim prone me eksploziv – më 1.11.2022 dhe më 31.12.2022, në Lushnjë, në bashkëveprim me Tafani, Bixheku dhe Abedini, në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku.

  12. Vjedhje me armë – më 22.2.2023, në Sallmone, Shijak, në bashkëveprim me Tafani dhe Firdeus Berberi, në dëm të Marjus Zejneli.

  13. Sigurim kushtesh për vrasje – në periudhën prill-maj 2023, në Lushnjë, në bashkëveprim me Tafani dhe Bixheku, për të vrarë Genci Hidën.

Gjithashtu, grupi kishte siguruar armë, armë shpërthyese dhe municione luftarake në sasi të mëdha, të cilat përdoreshin në mjedise publike.

Akuzat ndaj Kristi Bixhekut

Kristi Bixheku akuzohet për:

  1. Shkatërrim prone me eksploziv – më 1.11.2022 dhe më 31.12.2022, në Lushnjë, në bashkëveprim me Haxhiu, Tafani dhe Abedini, në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku.

  2. Sigurim kushtesh për vrasje – në periudhën prill-maj 2023, në bashkëpunim me Haxhiun dhe Tafanin, për vrasjen e Genci Hidës.

Akuzat ndaj Artan (Marjus) Tafanit

Artan (Marjus) Tafani akuzohet për:

  • Sigurim kushtesh për vrasje – më 6.7.2022, në Lushnjë, në bashkëveprim me Laert Haxhiun dhe Fatjon Veliun, për vrasjen e Rexhep Ginës.

Aktiviteti kriminal i grupit

Sipas hetimeve, aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar shtrihet nga prilli 2021 deri në maj 2023, kur drejtuesi i tij, Laert Haxhiu, u arrestua në Greqi dhe më pas u ekstradua në Shqipëri në korrik 2024.

Anëtarë të tjerë të grupit

Përveç Haxhiut, Tafanit dhe Bixhekut, anëtarë të tjerë të grupit të strukturuar janë edhe:

  • Lulzim Spahija (Arapi)

  • Ligor Romaçka

  • Bledar Berberi

  • Erisiano Abedini

Ndaj tyre është paraqitur më parë një kërkesë për gjykim, transmeton a2cnn.

Motivet e krimeve

Laert Haxhiu nisi kryerjen e akteve kriminale në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të tij, Klodian Haxhiut, dhe pas arrestimit të dy miqve të tij, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.

Grupi i drejtuar prej tij ndërmori akte kriminale me qëllim eliminimin e anëtarëve të grupit kundërshtar, që në atë kohë drejtohej nga Aldo Bare. Përveç vrasjeve të Çajup Selimit dhe Albi (Dijonist) Bashaliut, të gjitha krimet e tjera janë kryer për motive hakmarrjeje dhe interesa kriminale.

Ato përfshijnë jo vetëm atentate ndaj jetës, por edhe shkatërrim prone me eksploziv dhe vjedhje me armë në ambiente publike.

Prokuroria bën me dije se hetimet po vijojnë ndaj personave të tjerë të përfshirë në këtë grup të rrezikshëm kriminal.