Southgate nuk e ndjen mungesën e detyrës te Anglia: Ishte një peshë e madhe mbi supe

Ish-trajneri i Anglisë, Sir Gareth Southgate, ka deklaruar se nuk e ndjen aspak mungesën e punës si përzgjedhës i “Tre Luanëve”, duke e përshkruar pozicionin si një përgjegjësi të rëndë dhe të vazhdueshme. 54-vjeçari dha dorëheqje nga posti i trajnerit të Anglisë verën e kaluar, pas humbjes në finalen e Euro 2024 ndaj Spanjës. Gjatë…

Sport

25/06/2025 19:51

Ish-trajneri i Anglisë, Sir Gareth Southgate, ka deklaruar se nuk e ndjen aspak mungesën e punës si përzgjedhës i “Tre Luanëve”, duke e përshkruar pozicionin si një përgjegjësi të rëndë dhe të vazhdueshme.

54-vjeçari dha dorëheqje nga posti i trajnerit të Anglisë verën e kaluar, pas humbjes në finalen e Euro 2024 ndaj Spanjës. Gjatë periudhës së tij prej shtatë vjetësh e gjysmë, Southgate arriti dy finale të Kampionatit Evropian me Anglinë, duke përfunduar në vendin e dytë në të dyja rastet. Po ashtu, ai e udhëhoqi ekipin në një vend të katërt në Kupën e Botës “Rusia 2018” – paraqitja më e mirë e Anglisë në këtë turne që nga viti 1990.

Tani, pasi ka marrë titullin “Sir” për kontributin e tij në futbollin anglez, Southgate thotë për BBC Sport se ndihet i çliruar nga barra që mbante në atë rol:

“Është paksa e çuditshme të shoh ekipin, por nuk më mungon. Mendoj se është e rëndësishme të jem në atë divan, larg rrugës së tyre. Tani është radha e tyre ta çojnë përpara, dhe mendoj se duhet t’u jap sa më shumë hapësirë.”

Southgate është vetëm trajneri i katërt në historinë e kombëtares angleze që nderohet me titullin “Sir”, pas Walter Winterbottom, Alf Ramsey dhe Bobby Robson.

I pyetur nëse i mungon ndonjë pjesë e punës, ai theksoi se ishte një lehtësim i madh të mos mbante më mbi vete pritshmëritë e një kombi:

“Është e vështirë ta përshkruash… derisa ajo peshë të hiqet, nuk e kupton sesa çdo orë e ditës tënde është e përqendruar te kombëtarja – si ta përmirësojmë, çka ndodh me lojtarët, çka mund të bëjmë ndryshe.”

Pas largimit të Southgate, në drejtimin e Anglisë kaloi përkohësisht Lee Carsley, për t’ia lënë më pas vendin gjermanit Thomas Tuchel. Ky i fundit ka fituar tri ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës, por ndeshja miqësore e humbur ndaj Senegalit në City Ground solli reagime negative nga tifozët anglezë.

Tuchel, në komentet e tij pas marrjes së detyrës, kishte kritikuar paraardhësin duke thënë se “Anglia e Southgate nuk kishte identitet të qartë” dhe se skuadra dukej “më e frikësuar nga eliminimi në Euro 2024 sesa e uritur për fitore”.

Southgate nuk preferoi të përgjigjej drejtpërdrejt ndaj këtyre kritikave:

“Nuk mendoj se është e rëndësishme si e kam pranuar unë [kritikën] apo çfarë mendoj. Ajo që ka rëndësi është që t’i jap ekipit dhe trajnerit hapësirën e nevojshme për të funksionuar. Kam pasur një përvojë të jashtëzakonshme duke drejtuar vendin tim, por tani është koha që ata ta çojnë përpara – unë do të jem një tifoz nga shtëpia që i mbështet.”