Sot seanca gjyqësore ndaj Lushtakut dhe ministrave Gashi dhe Shala
Sot do të dalin para gjykatës ministrat Dardan Gashi e Endrit Shala si dhe ish-kreu i Skenderajt, Sami Lushtaku.
Lajme
Sot në Gjykatën Themelore të Gjakovës-dega në Malishevë, mbahet seanca fillestare ndaj ministrave Dardan Gashi dhe Endrit Shala, si dhe Sami Lushtakut për posedim të paautorizuar të armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke shtënë me armë.
“Për shkak të interesimit të vazhdueshëm të mediave për lëndën P.nr.197/2018, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka caktuar seancën fillestare ndaj të akuzuarve E.SH., D.G., etj për vepër penale të ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’ nga neni 374 paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Seanca në fjalë do të mbahet ditën e hënë, datë 11 shkurt 2019 në degën e Malishevës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë më 16 maj 2018, për vepër penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Ata gjatë një feste, janë parë duke gjuajtur me armë nga dritaret e odës së Fatmir Limajt, në Banjë të Malishevës.