Sot Mustafa, nesër Mustafa

Isa Mustafa merr mbështetjen e Kryesisë së partisë për t’i vazhduar reformat në parti dhe për ta përgatitur atë për zgjedhjet e ardhshme. LDK i qëndron fort mosprekjes së Kushtetutës në reformën zgjedhore.

Lajme

27/12/2013 18:26

Kryesia e LDK’së i ka dhënë mbështetje sot Kryetarit të saj Isa Mustafa për të vazhduar punën në reformimin e partisë dhe në përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

Në mbledhjen e sotme, kryesia e partisë më të madhe opozitare në Kosovë ka diskutuar për disa çështje ndërsa ka konfirmuar qëndrimin se reforma zgjedhore në Kosovë nuk duhet ta prekë Kushtetutën e shtetit.

“Kryesia edhe një herë e ka vlerësuar rezulatin e zgjedhjeve si rezultat të fitores së LDK’së, rezultat i cili e ka kthyer LDK’në si parti të parë në Republikën e Kosovës”.

“Kryesia është pajtuar që së bashku me strukturat e degëve në javët në vijim të punojë edhe më shumë në terren, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat janë përpara”.

“Kryesia ka debatuar edhe për procesin e reformës zgjedhore dhe ka konkluduar se procesi duhet të vijojë po u hapur çështjet që kanë të bëjnë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“LDK’ja do të angazhohet fuqimisht për reforma, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me këtë proces, por e sheh të panevojshme dhe të padobishme hapjen e çështjeve kushtetuese”.

“Kryesia i ka dhënë mbështetje të plotë Kryetarit të LDK’së, dr. Isa Mustafa, që të vijojë punën për reformimin e mëtejmë të partisë dhe përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme”, thuhet në komunikatën e LDK’së.