Sot mblidhen deputetët e rinj në seancën konstituive- çfarë pritet të ndodhë?
Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbahet seanca konstituive. Deputetët e rinj do të mblidhen sot për konsistiumin e Kuvendit nga ora 10:00. Me këtë shënohet dhe hapi i parë drejt themelimit të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në rend dite për seancën e sotme janë: Formimi i Komisionit të…

Lajme
Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbahet seanca konstituive.
Deputetët e rinj do të mblidhen sot për konsistiumin e Kuvendit nga ora 10:00.
Me këtë shënohet dhe hapi i parë drejt themelimit të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Në rend dite për seancën e sotme janë:
Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
Betimi i deputetëve,
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin- i cili zgjidhet me 61 vota.
Kësisoj nëse del në votim të njëjtit i nevojiten 61 vota gjithsej, të cilat nuk është ende e ditur nëse nga Vetëvendosje i kanë siguruar.
Po ashtu nga VV-ja nuk kanë njoftuar në lidhje me emrin të cilin do ta propozojnë për Kryeparlamentar.
Ndërkohë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se partia e tij është e gatshme të japë kontributin në procesin e krijimit të institucioneve, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje me asnjë parti.
“Ne do të japim kontributin tonë. Presim që qeveria të krijohet sipas afateve kushtetuese. Do ta luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve, për aq sa na takon — dhe këtu përfundon detyra jonë kushtetuese”, u shpreh Limaj.
Votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrate mund të jenë vendimtare për përmbushjen e kuorumit dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit, përderisa Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votim.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe nga lideri i saj Albin Kurti janë shprehur ambicioz që edhe Kuvendi edhe Qeveria të formohen brenda një dite, por ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq dje është shprehur skeptik në lidhej me këtë mundësi./Lajmi.net/