Sot fillon legjislatura e 10 e Kuvendit të Shqipërisë

Vullnetin që qytetarët shprehën në 25 prill, politika do ta materializojë ditën e sotme kur nis punën legjislatura e 10 e Kuvendit të Shqipërisë. Katër vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për rrugëtimin europian të vendit, ku pritshmëritë e larta të qytetarëve duhet të konkretizohen nga deputetët që zgjodhën pesë muaj më parë.

Lajme

10/09/2021 07:47

Për herë të parë Kuvendi nuk do të nisë me 140 deputet, por me katër vakanca. Kjo për shkak se katër deputetë të zgjedhur, Lefter Koka, Najada Çomo e Gramoz Ruçi nga PS si edhe Mark Marku nga PD kanë dhënë dorëheqjen nga mandatet pa u betuar ende. Për t’i zëvendësuar duhet që Kuvendi i ri, pas konstituimit, të konstatojë procedurialisht vakancat, në mënyrë që t’i kërkojë KQZ-së zëvendësimin e tyre.

Numërimi i votave të 25 prillit prodhoi në sallën e Kuvendit 2 grupe parlamentare. Socialistët për herë të dytë do të mund të jenë shumicë me 74 vota në parlament kësisoj edhe si grupi më i madh parlamentar.

Situata në kampin opozitar duket më e ndërlikuar. Koalicioni opozitar mori besimin për 59 ulëse në parlament duke formuar edhe grupin e dytë parlamentar.

Brenda ulëseve demokrate janë edhe aleatët e partive të vogla. Konkretisht Shpëtim Idrizi, Mesia Doda dhe Nustret Avdulla janë 3 deputetët e PDIU-së, të ndjekur nga kryetarët e partive të tjera aleate si Agron Duka, Fatmir Mediu, Dashamir Shehu e Vangjel Dule.

Nëse të gjithë bëhen bashkë, arrijnë numrin 7 të që përbën kuotën minimale për formimin e një grupi parlamentar. Por ndasitë ndërmjet Idrizit e Dules duket se ka detyruar aleatët e tjerë t’i kërkojnë deputetë hua Bashës, gjë që ka ndodhur edhe në 2017 kur Fatmir Mediu krijoi grupin e tij parlamentar me deputetë të marrë borxh nga lista e PD-së.

Në parlament arritën të futen edhe dy subjekte të tjera garuese në zgjedhje. LSI-ja e cila garoi për herë të parë nën drejtimin e Kryemadhit mori vetëm 4 mandate duke u tkurrur me 15 të tillë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, numër ky i pamjaftueshëm për të formuar një grup të sajin. Partia tjetër është PSD-ja e Tom Doshit me tre deputetë.

Procedura parlamentare parashikon se seancën e parë e deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit e drejton deputeti më i vjetër në moshë. Për ironi të fatit, në sallën e Kuvendit ka deputet me mbi 25 vite aktivitet parlamentar, por seancën hapëse do ta kryesojë inxhinierja Luljeta Bozo e cila ka mbi supe 78 vite 11 muaj e 8 ditë jetë, ndonëse shkel për herë të parë pragun e parlamentit. Inxhinierja do të drejtojë punimet deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, një emër që është bërë publik nga vetë Edi Rama gjatë asamblesë së Partisë Socialiste.

Rregullorja e Kuvendit nënvizon se kryetari i Kuvendit zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat. Socialistët kanë në sallë 74 vota çka e bën drejtimin e Nikollës të padiskutueshëm.

Fillimi i parlamentit të ri do të jetë njësoj si mbyllja e të vjetrit, nën masat anticovid, me gazetarët që do të vazhdojnë të qëndrojnë jashtë sallës plenare.