34-vjetori i demonstratave të 1981-shit
Demonstratat e studentëve të vitit 1981 dhe ato që vijuan më pas janë rezultat i rezistencës së pa ndalur të popullit shqiptarë të Kosovës kundër sundimit serb.
Lajme
Me datën 4 mars të vitit 1981 studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre. Kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët në datën 11 mars, e cila njëlloj si protesta e parë u shtyp me dhunë nga policia dhe u paraburgosën disa studentë.
Kështu nisi zinxhiri i demonstratave të vitit ’81. Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e Punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur.
Por përsëri, organet shtetërore ndërhyjnë me tërë brutalitetin e tyre gjatë tubimeve, dhe armata jugosllave paraqet prezencën e saj.
Pas dy muajsh në territorin e “Krahinës Socialiste të Kosovës” vendoset “Gjendja e jashtëzakonshme” e më vonë edhe shtetrrethimi. Ky zinxhir vazhdon deri me fillimin e luftës në Kosovë.
Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit të vitit, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-RSFJ.
Kryengritja popullore e marsit dhe prillit e vitit 1981 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar.
Në demonstratat e vitit 1981 për herë të parë u kërkua që Kosova të jetë Republikë. Kjo parullë ishte motoja kryesore në atë kohë. /KosovaPress/