Solidaritet dhe ndarje
Pegida rritet, por edhe rezistenca kundër saj. Ditët pas atentateve në Paris e bëjnë të qartë: Gjermania është e ndarë. Një konstatim alarmues!
Opinion
Numërimi i madh ka nisur. 30.000 në Lajpzig, 20.000 në Mynih, 19.000 në Hanover, 9.000 në Saarbrücken – rreth 100.000 në të gjithë Gjermaninë kanë shprehur solidaritetin me “Charlie Hebdo”-në. Por edhe numri i të vetëshpallurve shpëtimtarë të Oksidentit po shtohet. 25.000 vetë shkuan në “ndeshjen në tokën e vet” të Lëvizjes Pegida në Drezden, rekord. Nuk mund ta mohosh: pjesë të shoqërisë gjermane qendrojnë përballë njëra-tjetrës si qendrojnë përndryshe fansat e klubeve rivalizuese të futbollit. Fara e islamistëve vrastarë po çel. Kërpudha e ndarjes po rritet në barkun e shoqërisë gjermane.
Pegida rritet, “Je sui Charlie” gjithashtu
E rrezikshmja në lëvizjen e re të qytetarëve kundër fesë islame është shtrirja e tyre sociale. Nuk janë më ata me mendime përjetësisht të vjetra, që na acarojnë nervat me paranojën e tyre të dominimit të të huajve. Ata që thonë sot se duan të shpëtojnë Gjermaninë, nuk janë ata të njohurit, që nuk përmirësohen: neonazistët, huliganët, agjitatorët me kostume me vija. Për momentin janë para së gjithash qytetarë të urtë ata që marrin pjesë në demonstratat rituale të të hënave. Janë pensionistë, të cilët shohin të rrezikuar pensionin e tyre për shkak të shpenzimeve për refugjatët nga Siria. Nëna, që shqetësohen për fëmijët e tyre, të cilët gjoja mbështeten pas muri në shkolla nga numri i madh i Ahmetëve dhe Aisheve. Madje edhe shtresa e mesme akademike druhet për degradim social: gjithçka për shkak të myslimanëve tanë. Një rast për terapi.
Po të ishin vetëm këta pretendues për patriotë, Gjermania do t’i kishte keq punët. Në fakt që prej javësh – dhe aq më tepër pas atentateve të Parisit- gjithnjë e më shumë njerëz dalin në rrugë për tolerancë dhe kundër ksenofobisë se sa mund të mendosh duke parë numrin në rritje të njerëzve të Pegidas në Drezden. Por me gjithë respektin për protestën civile: Pohimi “Je sui Charlie” është i dyshimtë. Sepse solidariteti me Charlie-në nuk kushton asgjë, ai është refleks i të ndjerit i prekur i pjesëve të gjera të shtresës sonë të mesme të arsimuar.
Shumë hipokrizi te alternativat tona
Por që solidariteti i momentit të kthehet në një solidaritet të përhershëm, për këtë duhet vazhdimësi. Më shumë besueshmëri te “njerëzit tanë të prekur”. Kërkimi i së drejtës për veten, në të cilin pjesë të skenës alternative depërtojnë deri thellë në shtresën e mesme, është vetëm hipokrizi. Për aq kohë sa atraktiviteti i multikulturalizmit tonë ushqehet vetëm nga përvojat e pushimeve në Toskana dhe nga ofertat me gjellë ekzotike në restorante në lagjet e mirëqenies, solidariteti me migrantët tanë myslimanë katandiset në një ritual të njeriut të mirë.
Jo pak nga ata që e shpallin veten sot si mbështetës të Charlie, pa dëgjuar më parë kurrë për këtë gazetë satirike, i dërgojnë fëmijët e tyre me kilometra larg në shkolla të tjera, për t’i shpëtuar numrit të madh të të huajve në klasat e fëmijëve të tyre. Ose ngulin këmbë në komuna që të mos ngrihen shtëpi për refugjatët pranë shtëpive prona të tyre. Kjo është tolerancë që nuk kushton asgjë, është vetëm një qendrim liberal. Më shumë dukje, se sa realitet.
Merkeli e tha edhe njëherë: Feja islame është pjesë e Gjermanisë!
Realitetin e kujtoi kancelarja Merkel. Christian Wulff, Presidenti gati i harruar i Gjermanisë ka mbetur në kujtesë pozitivisht vetëm me një akt: me fjalinë e tij: “Feja islame është pjesë e Gjermanisë!” ai shqiptoi një të vërtetë të spostuar deri atëherë. Me këtë me mjaft vonesë ai e bëri të qartë se Gjermania është vend migrantësh. Këtë Angela Merkeli e përsëriti tani shprehimisht. Ka ardhur tashmë koha që fqinjët tanë myslimanë, kolegët e punës, shokët e sportit t’i vështrojmë si normale në jetën tonë. Gjithçka tjetër do të ishte mohim i fakteve.
(Marrë nga Deutsche Welle)