Sokoli: Fitorja na çon drejt sigurisë, Idrizi: Vazhdojmë luftën që 89-shi të mbetet në Superligë
Malisheva ka arkëtuar pikët e plota në takimin me Trepçën ’89, në takimin e vlefshëm për javën e 32-të kampionale në Superligën e Kosovës. Ekipi nën urdhrat e trajnerit Bylbyl Sokoli fituan 1:0 ndaj ekipit mitrovicas në stadiumin “Liman Gegaj”. Trajneri i Malishevës, Bylbyl Sokoli tha se kjo fitore e dërgon ekipin e tij drejt…

Sport
Malisheva ka arkëtuar pikët e plota në takimin me Trepçën ’89, në takimin e vlefshëm për javën e 32-të kampionale në Superligën e Kosovës.
Ekipi nën urdhrat e trajnerit Bylbyl Sokoli fituan 1:0 ndaj ekipit mitrovicas në stadiumin “Liman Gegaj”.
Trajneri i Malishevës, Bylbyl Sokoli tha se kjo fitore e dërgon ekipin e tij drejt mbijetesës, por pranon se ende asgjë s’ka përfunduar.
“Ndeshje e vështirë. Nuk filluam mirë. Shfrytëzuam gabimet dhe shënuam. Kishte shumë presion, më të merituarit për këtë rezultat janë futbollistët që u munduan shumë. Morali tek futbollistët do rritet pas tri fitoreve radhazi, kjo fitore na çon drejt sigurisë. Futbollistët e dinë se asgjë nuk ka përfunduar”, tha Sokoli për Art Sport.
Optimist për mbetje në elitën e futbollit kosovar u shpreh edhe trajneri i 89-shit, Shpëtim Idrizi.
Ky i fundit shtoi se ata do të luftojnë deri në fund të sigurojnë ekzistencën.
“E kishim përgatitur mirë ndeshjen, krijuam raste, qëlluam shtyllën dhe kishim posedimin e topit. Por, pësuam gol, ndërsa u munguam ta barazojmë rezultatin në pjesën e dytë. Dëshira për të barazuar rezultatin bëri që në pjesën e dytë të bëjmë gabime, që janë të pafalshme. Megjithatë, derisa matematika të na lejoj, gjasat për mbijetesë janë edhe për neve. Na presin katër sfida të vështira dhe kam thënë edhe më herët se çdo pikë është e vlefshme për ne. Nuk duhet të mendojmë se gjithçka ka përfunduar. Do të luftojmë deri në fund që Trepça ’89 të mbetet në Superligë”, ka thënë Idrizi.
Malisheva me këtë fitore shkon në kuotën e 39 pikëve në pozitën e shtatë, vend ky që i siguron mbijetesën në Superligën e Kosovës.
Trepça ’89 në anën tjetër është në vendin e tetë me 34 pikë, aq sa ka edhe Ferizaj një pozitë më poshtë./Lajmi.net/