Sokol Dobruna në Hagë: Ta haj dreqi, kam probleme me kujtesën
Dëshmitari Sokol Dobruna ka thënë në Hagë se ka probleme me kujtesën, kur u pyet se a i kujtohet që është pyetur në rast se ka parë ndonjë të burgosur serb të vdekur në burgun e Kleçkës. “Kam problem me këtë kujtesë, ta haj dreqi. Nuk më kujtohet. S’është me rëndësi, mund të jetë. Nuk…
Lajme
Dëshmitari Sokol Dobruna ka thënë në Hagë se ka probleme me kujtesën, kur u pyet se a i kujtohet që është pyetur në rast se ka parë ndonjë të burgosur serb të vdekur në burgun e Kleçkës.
“Kam problem me këtë kujtesë, ta haj dreqi. Nuk më kujtohet. S’është me rëndësi, mund të jetë. Nuk e mohoj, ashtu po mendoj”, tha Dobruna.
“Më konkretisht, a ju kujtohet që keni bërë sqarime në deklaratën tuaj, duke më thënë mua që vendi ku e keni parë këtë të burgosur ka qenë një qeli brenda një burgu, a ju kujtohet kjo dëshmitar?”, pyeti prokurori John Capin, ndërsa Dobruna mohoi me kokë.
Më pas, prokurori pyeti dëshmitarin se a i kujtohet që ka korrigjuar disa fjalë për të cilat ai kishte pretenduar se nuk ishin përkhyer si duhet.
“Nuk e di për cilat fjalë po flitni”, tha Dobruna.
Më pas, prokurori ia prezantoi dëshmitarit një fjalë që ai pretendohet se e ka korrigjuar. Megjithëse insistoi prokurori në freskimin e kujtesës për dëshmitarin, ai tha që nuk i kujtohet.
“Thuaj bre që i kam harru krejt, a e di që i kam harru krejt?! Kallëzoju”, i tha dëshmitari avokatit të tij, Arianit Kocit.
Me kërkesën e prokurorit Capin, trupi gjykues urdhëroi pushim prej dhjetë minutash në mënyrë që Dobruna të konsultohet me avokatin e vet. Ndërsa, kur palët u kthyen në sallë, seanca kaloi në sesion privat për pak.
Pasi u hap seanca, Dorbuna tha se prej 7 shtatorit të 1998-ës ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se ka qëndruar në Jabllanicë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Fillimisht ushtar i thjeshtë, pastaj e kam luajt rolin e moralitetit në luftë… s’po më kujtohet mirë… moral- përgjegjës për moral”, tha Dobruna, duke shtuar se komandant i tij ishte Ramush Haradinaj.
Ai pohoi se ka njohur Lahi Brahimajn. Tha se nuk i kujtohet që ka biseduar me atë ose me Ramushi Haradinajn për të kuptuar se çfarë roli kishte Brahimaj.
Dëshmitari thotë se nuk i kujtohet që në verën e vitit 1998 është takuar me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.
“Nuk më kujtohet. Me Jakupin kam qenë shok, veprimtar para luftës dhe atje jam shku pa e ditë se çka është fjala. Atje jam shku me udhëzim të përfaqësuesit të të drejtave të njeriut në Kosovë, Adem Demaçi dhe e kam përcjellë tek Jakupi se kam kujtu që ai është se kur e kam pyet atë “A je komandant ti” kam kujtu që është ai dhe më ka thënë që unë jam vetëm zëdhënës dhe qikaq muhabet kam pas”, tha Dobruna kur u pyet se a i kujtohet që ka takuar Thaçin dhe Krasniqin gjatë vjeshtës së ’98-ës.
Sipas trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari do të mbahet deri në 12:30, çdo ditë me 45 minuta vonesë në transmetim.
Veç kësaj, në njoftimin e DhSK-së, thuhet se trupi gjykues ka udhëzuar që pas rekomandimit të Zyrës së DHSK-së për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve, të gjitha palët duhet të zbatojnë qasjen e përshtatur të pyetjeve për këtë dëshmitar kurdo që është e mundur. Kjo përfshin ritmin e marrjes në pyetje për të lehtësuar kujtesën e dëshmitarit dhe për të minimizuar pyetjet e përsëritura ose orientuese.