Sociologu kosovar thirrje të ndalohet “Tik-tok-u” tek të miturit, thotë se po ndikon në “hiperseksualitet”, obezitet e vetëlëndim

Komuna e Gjakovës ditëve të fundit është tronditur nga një situatë e vetëlëndimit të nxënësve të shkollave të mesme, si rezultat i një sfide të rrezikshme në rrjetin social “TikTok”. Nga hëna kur u bënë të ditura rastet e para nga Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumonva-Baçi, e deri më sot janë konfirmuar 19…

Lajme

16/10/2024 21:04

Komuna e Gjakovës ditëve të fundit është tronditur nga një situatë e vetëlëndimit të nxënësve të shkollave të mesme, si rezultat i një sfide të rrezikshme në rrjetin social “TikTok”.

Nga hëna kur u bënë të ditura rastet e para nga Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumonva-Baçi, e deri më sot janë konfirmuar 19 raste të vetëlëndimit të nxënësëve.

“Numrin e konfirmuar të rasteve e kemi 19-të“, nuk është rritur për fat të mirë”, ka thënë ajo

Ndërkaq lidhur me veprimet e marra Kumnova-Baçi tha se kanë filluar takimet urgjente me prindër ku të pranishëm janë edhe zyrtarët.

“Kemi filluar takimet urgjente me prindër ku të pranishëm janë edhe zyrtarët policor”, ka thënë ajo për lajmi.net.

Tutje ajo tha se kanë ndaluar rreptësishtë telefonat në objektet shkollore dhe se po vazhdohet me kontrolle pa u ndalur në shkollë.

E një sfidë e tillë e  inspiruar nga rrjeti social “Tik-Tok”, vitin që lamë pas pati lënë të vetëlënduar rreth 15 nxënës në Fushë-Kosovë.

Ngjashëm situata ishte dje në komunën e Kamenicës.

Nga atje u raportua se në shkollën e fshatit “Koretin” disa nxënës kanë lënduar veten, të shtyrë nga një sfidë e cila po bëhet si shkak i ndikimit që ka ky rrjet social.

Kjo u konfirmua për lajmi.net edhe nga Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit.

“Ju njoftoj se me datë 11.10.2024 rreth orës 14:00, Policia e Kosovës është njoftuar nga drejtoria e një shkolle të mesme të ulët në komuna Kamenicë se në këtë shkollë disa nxënës të klasave të teta dhe nënta kanë provuar të lëndojnë vetën, shkak sfida e rrjeteve sociale në Tik-Tok. Policia e Kosovës njësia e hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nuk raportohet për të lënduar, prokurori ka urdhëruar që të mbetet shënim zyrtar” – tha Ismet Hashani nga Policia në Gjilan.

Kurse drejtori i Arsimit në Kamenicë, Afrim Dervishi deklaroi se për rastin janë njoftuar edhe prindërit e organet kompetente.

“Fatkeqësisht, bazuar në ato lojërat edhe shenjat e TikTok-ut, fëmijët në shkollën fillore kanë bërë një lojë të tillë, përmes së cilës e kanë sfidu veten edhe njëri-tjetrin [me një veprim të rrezikshëm]… Për këtë punë janë njoftu edhe prindërit” – ka thënë Dervishi.

Dervishi ka treguar se në mesin e nxënësve që kanë provuar ta sfidojnë njëri-tjetrin me lojën e rrezikshme, një ka qenë i klasës së gjashtë, ndërsa të tjerët të klasave 8 dhe 9.

“Nxënësit janë në shkollë. Menjëherë prindërit janë thirrë. Ata e kanë pranu … S’ka lëndime, nuk ka pasoja” – tha Dervishi.I pyetur se a ka psikolog në shkollën fillore të mesme të ulët në Kamenicë, aty ku ka ndodhur rasti, ai e ka mohuar.

Në lidhje me këtë fenomen socilogu, Ferdi Kamberi, ka folur për lajmi.net duke e cilësuar si varshmëri për të qenë në qendër të vëmendjes që në fakt kjo është mjaftë e rrezikshme për shëndetin mendor.

Tutje socilogu tha se dëmi i kësaj platforme ndikon në “hiperseksualitetin” e  fëmijëve, ku shumë fëmijë e gjejnë veten të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme seksuale, të cilat mund të çojë në sjellje seksuale të të miturve dhe të dëmtojë zhvillimin e tyre emocional dhe social.

“Padyshim jo vetëm Tiktok-u , por secili rrjet social i cili tejkalon kohën e paraparë dhe shfaq probleme të natyrave të ndryshme ka ndikime tek të rinjtë. Tiktoku është një ndër rrjetet sociale që për dallim nga të tjerat ndikon dukshëm në privatësinë e individit, edhe pse mosha adekuate në rrjete sociale është 13 vjeç, shumica e të rinjve shpeshherë e anashkalojnë atë. Ndikime të tjera janë edhe hiperseksualiteti i fëmijëve, ku shumë fëmijë e gjejnë veten të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme seksuale në këtë platformë, e cila mund të çojë në sjellje seksuale të të miturve dhe të dëmtojë zhvillimin e tyre emocional dhe social. Po ashtu, ndikime të tjera vërehen edhe tek tendenca më e madhe e pedofilëve, bullizmi, cenimi i privatësisë, varësia nga Tiktoku, tendenca për të qenë në qendër të vëmendjes, vetëlëndimi ku së fundi kemi qenë dëshmitarë i asaj që të rinjtë në komunën e Gjakovës duke dashur të sfidohen kanë vetëlënduar vetën, i njëjti rast me parë ka qenë i pranishëm me të rinjtë në komunën e Fushë Kosovës, etj. Aspekti negativ i këtij rrjeti social është dukshëm më i madh se ai pozitiv. Sa cenon te drejtat e tyre por edhe te te rriturve. Bazuar në hulumtimet të cilat janë bërë në këtë fushë del se ky rrjet social përveç që cenon të drejtat e të rinjve, por edhe më të rriturve, ai ka prodhuar situata të dëmshme të shëndetit mendor.”-tha ai.

Kamberi tha se duke parë dëmet që sjell kjo platformë, Kosova duhet të fillojë me një iniciativë për të ndaluar këtë pjesërisht rrjet social i cili cenon privatësinë dhe nuk ka politika të kontrollit.

“Duke parë trendët e globalizmit, mendoj se Kosova duhet renditur krah shteteve tjera të zhvilluara, të cilat kanë marrë iniciativa të ndalojnë pjesërisht këtë rrjet social sidomos tek të rinjtë, por edhe rrjete të tjera sociale, të cilat në një ose tjetrën mënyrë krijojnë varësi ose thjeshtë nuk janë nën kontrollin e prindërve. Së fundi, Shtetet e Bashkuara bënë një hap më shumë drejt bërjes së vendit të parë të mundshëm që ndalon aplikacionin e mediave sociale TikTok për shkak të shqetësimeve të privatësisë. Një gjë të tillë e ka filluar edhe Australia, Franca, Estonia, Danimarka, Britania e Madhe, si dhe shumë shtete të tjera, duke ndaluar fillimisht tek administrata (zyrtarët publik), si dhe tek nxënësit e shkollave fillore. Kësisoj, shteti i Kosovës duhet të krijon politika publike të cilat ndalojnë pjesërisht këtë rrjet social i cili cenon privatësinë dhe nuk ka politika të kontrollit ashtu siç kanë rrjetet tjera sociale, sidomos duhet ndaluar në ambientet publike siç janë: shkollat, spitalet, qendrat e rehabilitimit, apo institucione të tjera të ndjeshme”-theksoi Kamberi.

E sa i përket rrjeteve sociale, fëmijët që janë nën moshën 13 vjeçare ai tha se është e rëndësishme gjithmonë ti përdorin këto rrjete nën monitorimin e prindërve.

“Duke marrë parasysh dobitë dhe dëmet që mund të kenë rrjetet sociale, është mese e nevojshme që prindërit të punojnë më shumë me fëmijët e tyre, në mënyrë që mos të krijohet varësi. Është parim i përgjithshëm që në asnjë rrjet social mos të hapet llogari nën moshën 13 vjeçare, megjithëse ne rekomandojmë që nëse vetëm hapen llogari të tilla të jenë 15 +, pasi që në këtë moshë (të pubertetit) të rinjtë kanë një vetëdije më të madhe se mosha 13, gjithnjë nën kontrollin/monitorimin e prindërve”, shtoi ai.

E krejt në fund, Kamberi iu bëri thirrje të rinjve që mos të krijojnë varësi ndaj rrjeteve sociale pasi që dëmet që sjellin ato janë  të mëdha.

“Gjithsesi, të rinjtë duhet të kenë kujdes ndaj varësisë ndaj rrjeteve sociale, sepse përveç uljes së performancës në shkollë, ato kanë ndikim edhe në kequshqyerje, obezitet, rritje të miopisë, hermetizim social, tendenca të vetëlëndimit dhe mungesë të aktiviteteve sociale”, u shpreh ai.

Kujtojmë që sfida të këtilla të vetëlëndimit  në Kosovë janë paraqitur dhe para  disa viteve siç ishte rasti i videolojrës ‘’Balena Blu’’ ku vetëm në Kosovë u patën raportuar 6 raste