Smakiqi: Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë pa kredibilitet dhe me shkelje të rënda – presim aktgjykim lirues në fillim të vitit 2026
Sot gjatë ditës është raportuar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, i cili nisi në prill të vitit 2023, pritet të përfundojë më së largu më 22 dhjetor 2025. Lidhur me këtë ka folur avokati kosovar Xhevdet Smakiqi, i cili ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën…

Lajme
Sot gjatë ditës është raportuar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, i cili nisi në prill të vitit 2023, pritet të përfundojë më së largu më 22 dhjetor 2025.
Lidhur me këtë ka folur avokati kosovar Xhevdet Smakiqi, i cili ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën si është zhvilluar procesi deri tani.
“Fillimisht duhet ri thekësuar se gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës është përfshirë në shkelje të rënda të parimeve themelore të drejtësisë.” , tha ai.
Sipas tij, që nga vetëdorëzimi i krerëve të UÇK-së në nëntor të vitit 2020, masa e paraburgimit është zgjatur në mënyrë të kundërligjshme.
“Prej kur krerët e UÇK-së janë vetëdorëzuar në Nëntor 2020 kemi vlerësuar se gjyqtari i procedurës paraprake por më vonë edhe trupi gjykues ua kanë vazhduar kundërligjshëm masën e paraburgimit duke shkelur nenin 29 par 2 të Kushtetutës së Kosovës, nenin 5 dhe 184 të Kodit të Procedurës Penale, nenin 40 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe nenin 6 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e zbatueshme direkt në sistemin juridik të Kosovës me nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.”, ka thënë Smakiqi për Periskopin.
Gjykimi, sipas Smakiqit, është shoqëruar me mungesë transparence dhe skandale.
“Ky gjykim mbi 5 vjet është shoqëruar edhe me shkelje të parimit themelor të publicitetit duke qenë i mbyllur për publikun mbi 60% të tërësisë së tij.” , tha ai.
Ai thekson se procesi ka qenë pa kredibilitet dhe ka pasur dyshime për korrupsion që përfshijnë edhe ish-prokurorin Jack Smith.
“Ky proces gjyqësor ka qenë tërësisht pa kredibilitet me skandale edhe për shkak të dyshimeve të ish-prokurorit Jack Smith për përfshirje në korrupsion.”- u shpreh avokati.
Në vijim, ai kritikon Qeverinë e Kosovës për ndërhyrjet që, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë mbrojtjen.
“Është shoqëruar me dëmtim publik edhe institucional edhe nga Qeveria e Kosovës kur ka ndryshuar Udhëzimin Administrativ Nr.08/22 ku ka përgjysmuar kompensimet financiare për mbrojtësit e specializuar, për pasojë janë tërhequr ish kryemrojtësi i Presidentit Thaçi Ztr. Ceohy dhe kryemrojtësi i sh Kryeparlamentarit Veseli Ztr. Emerson.”, ka thënë avokati.
Duke e përshkruar si një proces me shumë devijime, Smakiqi shpreh dyshime për objektivitetin e trupit gjykues dhe parashikon një përfundim të paparashikueshëm.
“Prandaj mbështetur në rrjedhën e përçudnuar të këtij procesi gjyqësor me dëshmitar të dyshuar ish komandantë të UÇK-së, me qasje të njëanshme të trupit gjykues, me gjykim të mbyllur mbi 60%, me ndikime në kompensimin financiar në mbrojtjen e krerëve të UÇK-së konsiderojmë se fundi i këtij procesi gjyqësor është i pasigurtë për secilin vëzhgues objektiv prandaj askush nuk mund të parashikojë epilogun real të tij.”, tha ai.
Avokati shpreh bindjen se nuk është provuar asnjë nga pretendimet e aktakuzës.
“Si avokat për aq sa kemi parë gjykimin në publik pa pjesën e mbyllur me bindje konsideroj se ish krerët e UÇK-së duhet të lirohen nga akuzat absurde dhe se nuk është vërtetuar me asnjë provë dispozitivi i aktakuzës për ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe as asnjë përfshirje direkte në ndonjë krim.”, tha Smakiqi.
Në përmbyllje, ai shpreh pritjen për një aktgjykim lirues në fillim të vitit të ardhshëm.
“Nëse trupi gjykues do jetë objektiv e i pavarur nga ndikimet politike mbështetur në aktgjykimet e ICTY për ish-Jugosllavi në rastin Limaj dhe Haradinaj dhe në dëshmitarët ndërkombëtarë si Ztr. Kriket Abarahmas, Clark, etj. të ZPS-së dhe Mbrojtjes pres të kemi aktgjykim lirues më së voni në fillim shkurt 2026.”, ka shtuar ai tutje.