Smajljaj: Rivaliteti Kurti–Osmani mund të ketë ndikuar që VV të mos e kandidojë Osmanin për presidente
Analisti politik Avdi Smajljaj ka folur për arsyet e mundshme pse Vjosa Osmani nuk u kandidua për presidente nga Lëvizja Vetëvendosje. Smajlaj tha se prishja e “binomit” politik mes Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurti mund të jetë një nga faktorët kryesorë. Sipas tij, në fillim kishte një bashkëpunim të fortë politik, por me kalimin e…
Lajme
Analisti politik Avdi Smajljaj ka folur për arsyet e mundshme pse Vjosa Osmani nuk u kandidua për presidente nga Lëvizja Vetëvendosje.
Smajlaj tha se prishja e “binomit” politik mes Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurti mund të jetë një nga faktorët kryesorë.
Sipas tij, në fillim kishte një bashkëpunim të fortë politik, por me kalimin e kohës raportet kanë ndryshuar.
“Mos kandidimi ose prishja e këtij binomi, ku vendi kishte një binom politik, mendoj se ka ardhur edhe si rezultat i rivalitetit mes z. Kurti dhe znj. Osmani. Aktivitetet e saj, vizitat dhe takimet ndërkombëtare, përfshirë edhe aktivitetin me presidentin amerikan Donald Trump, mund të kenë qenë një nga shtytjet kryesore,” tha Smajljaj.
Ai shtoi se në kohët e fundit presidentja nuk është parë më si një figurë mbi të cilën mund të llogarisë plotësisht qeveria.
“Presidentja Osmani kohët e fundit nuk ka qenë një figurë në të cilën VV-ja mund të kalkulojë se është një presidente që nuk i thotë ‘jo’ qeverisë, siç ka qenë sidomos në vitet e para të mandatit,” u shpreh ai në Tëvë1.
Smajlaj theksoi se ndryshimi i këtij raporti mund të jetë parë nga Kurti si një rivalitet i mundshëm politik në të ardhmen.
“Këtë e ka parë z. Kurti se në të ardhmen mund të ketë rivalitet dhe kjo mund t’i sjellë probleme qeverisjes së VV-së, edhe pse ka 51 për qind të mbështetjes,” tha ai.
Sipas analistit, një tjetër arsye mund të lidhet edhe me mungesën e vullnetit brenda Lista Guxo, parti që ishte krijuar nga vetë Osmani.
“Një arsye tjetër mund të jetë edhe mungesa e vullnetit të Listës Guxo që të jenë më këmbëngulës, edhe pse këtë subjekt e ka krijuar vetë Vjosa Osmani,” tha Smajljaj.