Sllovakia pret njohjen nga Serbia
Deputeti sllovak Ivan Stefanec jep arsyet pse shteti i tij nuk po pranon ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai thotë se Bratisllava po pret që këtë ta bëjë së pari Serbia. Megjithatë, pohon se Sllovakia mbështet rrugën e Kosovës drejt BE'së.
Lajme
Pavarësisht ndjeshmërisë që ka në Kosovë, njohja e Kosovës nga Sllovakia nuk është çështje kryesore në agjendën e Bratisllavës.
Kështu ka thënë sot Ivan Stefanec, Nënkryetar i Komisionit për Çështje Europiane në Parlamentin e Sllovakisë, i cili kryeson një delegacion parlamentarësh sllovakë në një vizitë në Kosovë.
“Ne mendojmë se ka çështje më të rëndësishme se njohja. Më e rëndësishmja është përmirësimi i cilësisë së jetës për njerëzit në Kosovë dhe kjo është ajo ku në mund të punojmë dhe ne besojmë se eurointegrimi është mënyrë për ta përmirësuar cilësinë e jetës”.
“Kur Serbia ta njohë Kosovën, atëherë nuk do të ketë pengesa nga askush… Pra duhet të ketë marrëveshje (me Beogradin) dhe kjo është arsyeja prapa qëndrimit të Sllovakisë, ”, ka thënë Stefanec pas takimeve që zhvilloi sot në Prishtinë.
Por, cila është arsyeja sllovake për mosnjohje të Kosovës?
Stefanec ka këtë përgjigje:
“Sepse për ne, kemi mjaft përvoja tona. Jemi gjithashtu vend i ri, vetëm 20 vjet. Dikur ka qenë shtet tjetër, Çekosllovakia. Ndarja e Çekisë dhe Sllovakisë ka qenë paqësore. Prandaj, ne themi se duhet të ketë një lloj marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pa një lloj marrëveshje të tillë, është shumë e vështirë të ndodhë njohja, sepse mund të ketë situata të rrezikshme në pjesë tjera të Evropës, madje edhe në Sllovaki sepse kemi një minoritet, Spanja ka minoritete…”
Ai dhe delegacioni i parlamentarëve sllovakë janë me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe me Komisionin Parlamentar për Integtrime Europiane.
Stefanec është shprehur se në mungesë të marrëdhënieve diplomatike, Kosova dhe Sllovakia mund t’i përmirësojnë kontaktet ndërmjet parlamenteve duke formuar një grup të miqësisë.
“Përkundër asaj se nuk ka njohje, ne e mbështesim rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE, prandaj duam të ndërveprojmë për t’i shkëmbyer përvojat. Nuk duam që ta diskriminojmë ndonjë vend dhe ambiciet e tyre. Secili vend në Ballkan duhet ta ketë shansin e vet për integrim”.