Sllovakia nuk ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës

Sllovakia vazhdon të mbajë qëndrimin e saj refuzues ndaj njohjes së Kosovës, thotë kryeministri i këtij shteti, Robert Fico. Ai gjatë qëndrimit në Beograd, ka garantuar mbështetje për Serbinë në procesin e negociatave me BE’në.

Lajme

24/01/2014 14:49

Sllovakia nuk do të ndryshojë qëndrim lidhur me çështjen e Kosovës.

Kështu ka thënë sot Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, i cili po qëndron sot për vizitë në Beograd.

Ai në takim me Kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Nebojsa Stefanovic, ka folur për nisjen e bisedimeve në mes të Serbisë dhe BE’së për anëtarësim, si dhe për dialogun Prishtinë Beograd.

Fico ka premtuar mbështetje të Sllovakisë në rrugën e integrimit të Serbisë në BE.

“Sllovakia do të ndihmojë Serbinë me përvojën e krijuar gjatë bisedimeve me BE. Gjithashtu  mbështesim edhe dialogun me Prishtinën. Ne nuk do të ndërrojmë qëndrim lidhur me çështjen e Kosovës”.

Fico është takuar edhe me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic, të cilit i ka dorëzuar edhe “çelësin e portës së Bashkimit Europian”.

Pas takimit, Dacic ka thënë se Serbia është mirënjohëse ndaj mbështetjes së Sllovakisë lidhur me “qëndrimin parimor ndaj Kosovës” dhe rrugën evropiane që, sipas Dacic, është rezultat i një miqësie të madhe mes dy shteteve.

Bashkë me Spanjën, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron, Sllovakia hyn në grupin e pesë shteteve anëtare të BE’së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.