“S’keni të drejtë të komentoni”-Ministrja Haxhiu lëshon menjëherë sallën pasi bashkëpartiakja ia ndali mikrofonin

Përgjatë zhvillimit të seancës së parë në sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, një përplasje ndodhi në mes dy zonjave të Vetëvendosjes. E gjithë kjo nisi me disa pyetje të parashtruara nga deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pasi që iu është përgjigjur pyetjes së deputetes Labinotë Demi-Murtezi i është drejtuar…

Lajme

12/09/2024 13:46

Përgjatë zhvillimit të seancës së parë në sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, një përplasje ndodhi në mes dy zonjave të Vetëvendosjes.

E gjithë kjo nisi me disa pyetje të parashtruara nga deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pasi që iu është përgjigjur pyetjes së deputetes Labinotë Demi-Murtezi i është drejtuar edhe deputetit të PDK-së, Hisen Berisha.

“Më lejoni të përgjigjem edhe ndaj pyetjet, gjegjësisht komentit të deputetit Hisen Berisha”, tha Haxhiu, e më pas reagoi edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci e cila ia tërhoqi vërejtjen.

Bogujevci: Zonja Haxhiu të lutem duhesh vetëm pyetjes t’i përgjigjesh.

Haxhiu: Nënkryetare e Kuvendit të lutem, nuk është në rregull që në Kuvendin e Kosovës të ketë manipulime. Deputeti Hisen Berisha i ka bërë dy pyetje por i  ka tërhequr. Unë e kam letrën që ai e ka dërguar dhe thekson se i tërheq pyetjet. Prandaj unë nuk kam faj që deputetët e opozitës i bien pishman”

E derisa po fliste ministrja, me urdhër të nënkryetares Bogujevci, regjia ia ndali mikrofonin ministres Haxhiu.

“Regjia të lutem ndaljani fjalën. Regjia”, dëgjohet të thotë Bogujevci.

Pas kësaj,ministrja Haxhiu vendosi që menjëherë ta lëshojë sallën e Kuvendit.

Nuk dihet nëse një “keqkuptim” i mëhershëm ka nxitur një reagim të tillë në mes dyshes, apo ishte thjesht reagim momenti nga Bogujevci që padyshim nuk iki pa hatërmbetje të Haxhiut./Lajmi.net/