Skandali i peshkut me krimba | Flasin nga Delfin LTD për lajmi.net: Peshku me “Anisakis” s’është i rrezikshëm pas gatimit – që nga data e ndalimit asnjë kilogram nuk ka dalë në treg
Përmes një reagimi zyrtar drejtuar redaksisë së Lajmi.net, kompania Delfin LTD, përfaqësuar nga zyra e avokatëve FM LAW SH.P.K., ka mohuar fuqishëm çdo pretendim se ka plasuar në treg peshk të kontaminuar me parazitë. Aty thuhet se vendimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) janë të kontestuara dhe se asnjë gjykatë nuk…

Lajme
Përmes një reagimi zyrtar drejtuar redaksisë së Lajmi.net, kompania Delfin LTD, përfaqësuar nga zyra e avokatëve FM LAW SH.P.K., ka mohuar fuqishëm çdo pretendim se ka plasuar në treg peshk të kontaminuar me parazitë.
Aty thuhet se vendimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) janë të kontestuara dhe se asnjë gjykatë nuk ka konstatuar se peshku është i papërshtatshëm për konsum, transmeton lajmi.net.
“Deri më sot nuk ka asnjë aktgjykim të gjykatës lidhur me padinë e Delfin LTD për anulimin e vendimeve të AUVK, të cilat janë të kundërligjshme dhe të kontestuara në procedurë gjyqësore,” thuhet në reagim, duke shtuar se vendimi i cituar nga AUVK dhe disa media ka të bëjë vetëm me kërkesën për sigurimin e provës dhe “nuk ka lidhje me përmbajtjen e peshkut.”
Kompania thekson se peshku i ndaluar ka qëndruar në magazinat e saj që nga data e ndalimit dhe “asnjë kilogram nuk ka dalë në treg dhe nuk është shitur.”
Sipas tyre, e gjithë sasia është asgjësuar më 3 tetor 2025 për shkak të skadimit të afatit, dhe jo për shkak të papërshtatshmërisë për konsum.
Ata shtojnë se peshku ka kaluar të gjitha proceset e kërkuara ligjore për ngrirje dhe ka qenë i sigurt për konsumim nëse gatuhej sipas udhëzimeve.
“Çdo media ose subjekt tjetër që ka bërë deklarime të pavërteta se kinse gjykata ka konfirmuar papërshtatshmërinë e peshkut do të përballet me padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit të Delfin LTD,” thuhet në fund të reagimit.
Reagimi i plotë i dërguar redaksisë sonë pa ndërhyrje nga zyra e avokatëve që e përfaqësojnë Delfin LTD:
REAGIM PUBLIK
ASNJË GJYKATË NUK KA KONSTATUAR SE PESHKU ËSHTË I PAPËRSHTATSHËM PËR KONSUM – AUVK DHE MEDIAT PO DEZINFORMOJNË PUBLIKUN – ASGJËSIMI I PESHKUT ËSHTË BËRË PËR SHKAK TË SKADIMIT TË AFATIT DHE JO PËR SHKAK SE NUK ËSHTË I PËRSHTATSHËM PËR KONSUM
Të nderuar,
Në cilësinë e avokatëve të kompanisë DELFIN LTD, lidhur me peshkun i cili është ndaluar me vendimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), përkatësisht Vendimin Ref. AUV 04/1-51/2024 të datës 29.02.2024, dhe Vendimin Ref. AUV 04/01-73/2024 të datës 08.03.2024, ju njoftojmë si vijon:
Deri më sot nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës lidhur me padinë e DELFIN LTD për anulimin e vendimeve të AUVK, të cilat janë të kundërligjshme dhe të kontestuara në procedurë gjyqësore. Çështja gjyqësore ndodhet në pritje të trajtimit nga Gjykata Komerciale e Kosovës, sipas radhës së lëndëve.
Aktvendimi K.DH.SH.II.nr.1227/25 (lënda nr. 2025:134825), datë 01.09.2025, i Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, të cilit i janë referuar AUVK dhe mediat, nuk ka lidhje me përmbajtjen e peshkut, por vetëm me kërkesën tonë për sigurimin e provës, përmes emërimit të ekspertëve ndërkombëtarë apo laboratorëve të akredituar në fushën e sigurisë ushqimore. As ky vendim, e as ndonjë vendim tjetër gjyqësor nuk kanë vlerësuar nëse peshku është apo jo i përshtatshëm për konsumim.
Çdo media ose subjekt tjetër që ka bërë deklarime të pavërteta se kinse gjykata ka konfirmuar papërshtatshmërinë e peshkut do të përballet me padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit të DELFIN LTD.
Sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe legjislacionit të Bashkimit Evropian (e me legjislacionin e këtij të fundit është i harmonizuar legjislacioni i Republikës së Kosovës), prezenca e parazitëve të mundshëm “Anisakis” tek peshku i ngrirë dhe i cili konsumohet pas gatimit nuk paraqet asnjë rrezik për konsum.
Ndonëse nuk ka asnjë provë kredibile, të besueshme dhe me vlerë provuese e cila vërteton prezencen e parazitëve në sasinë e peshkut të ndaluar, konform këtij legjislacioni, parashihet qartë se peshku që përmban parazitë mund të konsumohet dhe është i sigurt për konsum, nëse i nënshtrohet procesit të ngrirjes në -20°C për 24 orë dhe nëse konsumohet pas gatimit në temperatura mbi 60°C. Kjo parashikohet qartë në Rregullorën nr.12/2011 për Përcaktimin e Rregullave Specifike të Higjienës së Ushqimit me Prejardhje Shtazore, e nxjerrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës në vitin 2011; Rregullorën (EC) Nr. 853/2004 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit për sa i përket trajtimit për të vrarë parazitët e mundshëm në produktet e peshkimit për konsum njerëzor; Rregullorën e Komisionit (BE) Nr. 1276/2011 e datës 8 dhjetor 2011 që ndryshon Aneksin III Rregullorës (EC) Nr. 853/2004 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit për sa i përket trajtimit për të vrarë parazitët e mundshëm në produktet e peshkimit për konsum njerëzor; Opinion Shkencor për vlerësimin e rrezikut të parazitëve në produktet e peshkut Prill, 2010, i nxjerrë nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA).
Peshku i ndaluar ka kaluar procesin e plotë të ngrirjes në -20°C për 24 orë dhe ka qëndruar në këtë temperaturë vazhdimisht. Secili paketim i këtij peshku përmbante udhëzimet për përdorim. Në këto kushte, të gjithë parazitët që pretendohet se kanë ekzistuar, kanë qenë të eliminuar dhe peshku nuk ka paraqitur asnjë rrezik për konsumim. Pra, peshku në fjalë i ka plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara me ligj dhe rregulloret në fuqi, përfshirë Rregulloren nr.12/2011 për Përcaktimin e Rregullave Specifike të Higjienës së Ushqimit me Prejardhje Shtazore e nxjerrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës në vitin 2011, Rregullorën (EC) Nr. 853/2004 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit për sa i përket trajtimit për të vrarë parazitët e mundshëm në produktet e peshkimit për konsum njerëzor, Rregullorën e Komisionit (BE) Nr. 1276/2011 e datës 8 dhjetor 2011 që ndryshon Aneksin III Rregullorës (EC) Nr. 853/2004 të Parlamentit Evropian dhe e Këshillit për sa i përket trajtimit për të vrarë parazitët e mundshëm në produktet e peshkimit për konsum njerëzor.
Fakti që asnjë media nuk i është referuar këtyre rregulloreve, tregon ose mungesë njohurie profesionale, ose qëllim për keqinformim publik.
Peshku i ndaluar ka qëndruar i ngrirë në depotë e DELFIN LTD që nga data e ndalimit, dhe nuk ka dalë në treg asnjë kilogram nga ajo sasi e peshkut. Si rrjedhoj e ndalesave të vendosura me vendimet e AUVK, ka ardhur edhe deri te skadimi i afatit të tërë asaj sasie të peshkut.
Janë përgatitur padi kundër të gjithë personave dhe mediave që kanë shpifur se kinse është bërë plasim në treg dhe shitje e peshkut i cili ka qenë i ndaluar me vendimet Ref. AUV 04/1-51/2024 dhe Ref. AUV 04/01-73/2024. Theksojmë se asnjë kilogram i kësaj sasie nuk ka dalë në treg dhe nuk është shitur. E tërë sasia e peshkut e ndaluar me këto vendime është asgjesuar më datë 03.10.2025 për shkak se i kishte kaluar afati i përdorimit./lajmi.net/