Skandal në MASHT: Aktakuzë ndaj 12 personave për miliona euro dëm dhe falsifikim dokumentesh
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim dokumentesh. Sipas aktakuzës, disa nga të pandehurit, duke përfituar nga pozitat e tyre në MASHT, kanë hartuar kritere të favorizuara në tendera dhe kanë kontraktuar produkte me çmime deri…
Lajme
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas aktakuzës, disa nga të pandehurit, duke përfituar nga pozitat e tyre në MASHT, kanë hartuar kritere të favorizuara në tendera dhe kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900% më të larta se ato të tregut, duke shkaktuar dëm të përgjithshëm në buxhetin e shtetit prej mbi 7.5 milionë euro, transmeton lajmi.net.
Gjithashtu, në kundërshtim me kushtet e kontratave, disa produkte të blera u dorëzuan me origjinë nga Kina dhe Turqia, në vend të produkteve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Aktakuza pritet të çojë në procedura gjyqësore për personat dhe kompanitë e përfshira.
Njoftimi i plotë:
Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurorimin publik
Prishtinë, 31 Dhjetor 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “,“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve“.
Sipas aktakuzës, të pandehurit persona fizik: N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B., I.E., dhe të pandehurit persona juridik: ”A&F P. Sh.p.k, ”S. Sh.p.k”, ”Sh.G Sh.p.k”., kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë mashtruar në procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Të pandehurit A.M, N.D., nga 02.04.2019 e deri më 11.03.2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit “Blerja e pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë. Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 1,824,970.00 euro.
Të pandehurit A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., nga 26.10.2020 deri më 27.11.2023, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900% më të larta se ato të tregut duke i shkaktuar buxhetit dëm prej 2,148,282.35 euro.
Gjithashtu, në kundërshtim me kushtet e kontratës, kanë lejuar dorëzimin e produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte përcaktuar në kontratë. Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 3,626,243.80 euro./lajmi.net/