Situata pas përmbytjeve në Shqipëri, janë evakuuar 596 familje dhe janë shpëtuar 1552 banorë
Reshjet e shiut kanë filluar të pakësohen dhe vendin e tyre e ka zënë dëbora, kryesisht në pjesën veriore të vendit.

Lajme
Meteorologët kanë bërë me dije se reshjet e shiut janë pakësuar, ndërsa rreziku nga lumi Vjosa në Vlorë dhe në Fier është në ulje, kryesisht nga zvogëlimi i prurjeve dhe tërheqja e ujrave.
Strukturat shtetërore janë angazhuar pa ndërprerje, në radhë të parë për shpëtimin e jetëve njerëzore dhe minimizimin e dëmëve.
Emergjencat Civile kanë bërë me dije se janë evakuuar qytetarët dhe gjëja e gjallë nga zonat e rrezikuara, si dhe është punuar me forca dhe mjete të shtuara për kthimin sa më shpejt në normalitet.
Mësohet se gjatë natës zona më e rrezikuar si dhe përpjekja kryesore është zhvilluar për të mbrojtur funksionimin e hidrovorit në Darëzezë të Fierit. Falë një punë të jashtëzakonshme u bë e mundur që të mbrohet hidrovori nga përmbytja, duke shmangur kështu pasoja të konsiderueshme.
Aktualisht deri tani janë evakuuar 596 familje dhe janë shpëtuar 1,552 qytetarë. Gjenden të përmbytura 10,217 ha tokë, kryesisht në Fier dhe Vlorë, si dhe 5,781 ha me prani uji. Banesa të përshkuara nga uji dhe të përmbytura janë 3,337 në mbarë vendin./Opinion.al/