S’ishte në protestat për krerët e UÇK-së, Osmani tani përkrah marshin “Drejtësi, jo politikë”
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër” – Eliza Hoxhën, Ismail Tashollin dhe Ridvan Eminin – për të diskutuar rreth organizimit të marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë. Gjatë takimit u theksua rëndësia e…
Lajme
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër” – Eliza Hoxhën, Ismail Tashollin dhe Ridvan Eminin – për të diskutuar rreth organizimit të marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e ruajtjes së parimeve të drejtësisë së paanshme, vlerave të luftës çlirimtare dhe përgjegjësisë institucionale e shoqërore për kultivimin e kujtesës historike tek brezat e rinj.
Presidentja Osmani shprehu mbështetjen e saj për këtë iniciativë, duke vlerësuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave kombëtare.
“E mbështes këtë iniciativë qytetare. Vlerat kombëtare dhe ato të luftës për liri duhet t’i mbrojmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj si pjesë të krenarisë sonë kolektive,” ka deklaruar Presidentja.
Nga ana e saj, Eliza Hoxha theksoi se përkrahja institucionale dhe qytetare që po merr marshi dëshmon karakterin e tij gjithëpërfshirës.
“Ky marsh është një thirrje për respektimin e drejtësisë së paanshme dhe për ruajtjen e dinjitetit të historisë sonë. Kur institucionet dhe qytetarët flasin me një zë për drejtësi, mesazhi bëhet më i fuqishëm,” është shprehur Hoxha.
Edhe Ismail Tasholli e vlerësoi simbolikën e datës 17 Shkurt, duke theksuar se ajo përfaqëson një moment bashkimi rreth vlerave themelore të shtetit.
“Ne besojmë se drejtësia duhet të jetë e ndarë nga politika dhe në shërbim të së vërtetës. Më 17 shkurt, qytetarët do të japin një mesazh të qartë për unitet, dinjitet dhe respekt për sakrificën e lirisë,” ka thënë Tasholli.
Platforma “Liria ka Emër” ka falënderuar Presidenten për pritjen dhe mbështetjen, duke u bërë thirrje qytetarëve që në Ditën e Pavarësisë të bashkohen në Prishtinë për marshin me moton “Drejtësi, jo politikë”. /Lajmi.net/
