S’ishte aksion i rastit, paralajmërim edhe për imamët radikalë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, duke folur për arrestimet e të dyshuarve për terrorizëm nga Policia e Kosovës, ka thënë se ky aksion nuk është i rastit, dhe se për këtë ishin bërë hetime disa mujore.

Lajme

11/08/2014 12:58

Rexhepi në një intervistë për RTV21, ka thënë se kjo tregon gatishmërinë se institucionet e Republikës janë të përkushtuara në luftën kundër terrorizmit, dhe se Kosova nuk do të jetë asnjëherë teren i përshtatshëm për ekstremizëm dhe radikalizëm fetarë.

Ministri Rexhepi ka thënë se shteti pret nga Bashkësia Islame të bashkëpunojë dhe të merr masa të duhura ndaj atyre imamëve që në një mënyrë janë të lidhur me kultivimin e fesë, por që me veprimtarinë e tyre po dalin jashtë kontekstit të fesë.

Rexhepi ka thënë se ka informata që ekstremistët indoktrinohen edhe përmes rrjeteve sociale, dhe se ka dyshime të bazuara që financimin e bëjnë shërbimet sekrete të vendeve që nuk ia duan të mirën Kosovës.

Dyzet (40) persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, si ISIS dhe Al-Nusra, janë arrestuar nga Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.  

Arrestimi i tyre nga Policia e Kosovës është bërë nën dyshimin se kanë kryer vepra penale nga kapitulli “Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës Së Kosovës” i Kodit Penal të Kosovës.